Sulmet ruse shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike në Kherson

Trupat ruse kanë rinisur granatimet e qytetit jugor ukrainas të Khersonit më 3 Dhjetor, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në këtë qytet të çliruar kohëve të fundit.

Njoftimet për granatime në Herson vijnë teksa luftimet po vazhdojnë në lindje, përderisa zyrtarët kanë paralajmëruar se Ukraina përballet me një dimër të vështirë për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës së saj.

“Pushtuesit rusë kanë granatuar Hersonin – kanë dëmtuar rrjetin elektrik. Qyteti sërish ka mbetur pa energji elektrike”, tha guvernatori Yaroslav Yanushevych përmes Telegramit. Ai shtoi se teknikët janë duke punuar për të rikthyer furnizimet me energji në këtë qytet të çliruar së fundmi, e që gjendet në anën e djathtë të bregut të Lumit Dnjepër.

Ukraina rimorin kontrollin e Hersonit më 11 Nëntor, pasi ushtria ruse u tërhoq në anën e majtë të brigjeve të Dnjepërit. Artileria ruse është vendosur në një pozicion të ri përgjatë lumit dhe vazhdimisht ka sulmuar qytetin me raketa.

Tri persona janë vrarë një ditë më parë për shkak të granatimeve ruse në qytet, tha Yanushevych.

Miliona ukrainas po përballen me mungesë të energjisë elektrike dhe ngrohjes pas një vale të sulmeve ruse në mbarë vendin, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 2 dhjetor se sulmet e reja ndaj infrastrukturës së Ukrainës janë “të pashmangshme”.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se do të bëjnë gjithçka për të riparuar dëmet.

Teksa Hersoni po përballet me granatime, në lindje të Ukrainës forcat e Kievit po përballen me sulme të ashpra në rajonet e Luhanskut dhe Donjeckut. Ushtria ukrainase tha më 3 dhjetor se një ditë më parë ka rrëzuar një helikopter dhe gjashtë dronë të Rusisë.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se forcat ruse kanë kryer sulme të shumta ajrore që kanë goditur infrastrukturën civile dhe pozicionet e ushtrisë ukrainase përgjatë vijës së kontaktit.

Raportimet nga fushëbeteja nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share