Ky filmim tregon momentet e shkëmbimit të zjarrit mes forcave speciale të policisë ruse dhe disa militantëve të armatosur që mbrëmjen e të Dielës, sulmuan dy kisha ortodokse, një sinagogë dhe një rajon policie në sulme terroriste në zona të ndryshme në Dagestan të Rusisë.
19 persona humbën jetën, ndër të cilët edhe një prift ortodoks që drejtonte një shërbesë të posaçme fetare në Mahaçkala, qyteti më i madh i rajonit, i ndodhur buzë Kaspikut. Bilanci përfshin edhe viktimat në Derbent, një tjetër qytet po ashtu buzë Kaspikut ku ndodhën sulmet që mesa duket ishin të koordinuara.
Forcat speciale të policisë ruse vranë 6 persona të armatosur që morën pjesë në sulm. Nuk dihet ende nëse ka patur të tjerë. Në Derbent, përveçse sulmuan me armë besimtarët e grumbulluar, u vunë flakën edhe një kishe dhe një sinagoge.
Autoritetet ruse ende nuk kanë dhënë asnjë detaj për autorët, të cilët janë në proces identifikimi. Megjithatë, rajoni i Dagestanit është ndër më të varfrit në Rusi. Për 10 vite me radhë duke nisur nga 2007, në gjithë rajonin ka qenë aktive një organizatë ekstremiste islamike që kërkonte ngritjen e një Emirati Islamik në këtë rajon dhe që kreu vazhdimisht sulme terroriste, duke e shtrirë dhunën edhe në Çeçeni.
Tv Klan