Më shumë se 100 njerëz kanë humbur jetën në sulmin ajror nga ushtria e Mianmarit, cilësuar kjo si një nga më vdekjeprurësit deri më tani në luftën civile.
Të mbijetuarit thanë për BBC se kanë mbledhur të paktën 80 trupa, por pritet që numri të rritet më tej. Kombet e Bashkuara kanë dënuar sulmin, i cili synoi një fshat në rajonin veriperëndimor të Sagaing.
Gjithnjë e më shumë, ushtria ka përdorur sulme ajrore kundër kundërshtarëve të tyre që nga marrja e pushtetit në Shkurt 2021.
Gjenerali Zaw Min Tun e pranoi për televizionin shtetëror, “po, ne filluam sulmin ajror”. Ai tha se ata kishin zgjedhur të sulmonin fshatin Pa Zi Gyi sepse po mbante një ceremoni për të shënuar hapjen e një zyre për forcën e tyre mbrojtëse vullnetare lokale.
Të njohura si Forcat e Mbrojtjes së Popullit, këto milici kundër grushtit të shtetit po zhvillojnë një fushatë të armatosur kundër ushtrisë në pjesë të ndryshme të Mianmarit. Komunitetet në Sagaing kanë ngritur disa nga kundërshtimet më të forta ndaj sundimit ushtarak.
Një banor në Pa Zi Gyi tha për BBC-në se një avion ushtarak kishte fluturuar rreth orës 08:00 me kohën lokale të martën dhe hodhi një bombë direkt në sallën ku po mblidheshin krerët e komunitetit, e ndjekur nga një helikopter, i cili sulmoi fshatin për 20 minuta. Dëshmitarët thanë se avioni u kthye më vonë dhe hapi zjarr mbi ata që përpiqeshin të mblidhnin të vdekurit.
Fshati ishte mbushur plot me njerëz nga komunitetet e afërta që po merrnin pjesë në ceremoni.
Nëse konfirmohet numri i të vdekurve në Pa Zi Gyi, do të jetë një nga incidentet më vdekjeprurëse deri më tani në luftën civile./tvklan.al