Sulm me armë në një stacion autobusi në Jeruzalem, regjistrohen 3 viktima

3 persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e një sulmi me armë në një stacion autobusi në periferi të Jeruzalemit gjatë mëngjesit të sotëm.

Shërbimet e urgjencës së Izraelit kanë raportuar se si pasojë e sulmit ka humbur jetën një 24-vjeçare, si dhe 2 të moshuar të cilët nuk i kanë rezistuar plagëve të marra pavarësisht trajtimit mjekësor.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, ministri i Jashtëm i Izraelit tha se 2 sulmues të armatosur rëndë u neutralizuan, por akoma nuk ka detaje në lidhje me identitetin e tyre.

“Isha në shtëpi kur dëgjova të shtënat dhe menjëherë shkova në vendin e ngjarjes. Pashë një numër të madh personash në vendin e ngjarjes, disa ishin shtrirë dhe të tjerë ishin në gjendje për të ecur”, tha punonjësi i shërbimeve të urgjencës së Izraelit, Moshe Hemed.

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir beson se 2 sulmuesit në Jerusalem janë anëtarë të Hamasit dhe banorë në Jerusalemin Lindor.

“Këta me sa duket janë anëtarë të Hamasit, të cilët flasin këtu me dy zëra, një zë i të ashtuquajturit armëpushim dhe një zë i dytë i terrorit,” tha Gvir për gazetarët.

Ai shtoi se sulmi tregon rëndësinë e shpërndarjes së armëve për civilët në Izrael. Policia ka bllokuar vendin e sulmit dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share