Suksesi i Vietnamit me automjetet elektrike – Kompania VinFast vlen më shumë se Ford dhe GM

Prodhuesi vietnamez i automjeteve elektrike, ‘VinFast’ aktualisht vlen më shumë se Ford dhe GM pas debutimit në Nasdaq. Aksionet e VinFast u rritën pas debutimit të tij tregtar në SHBA, duke kaluar vlerën totale të tregut dhe lënë prapa disa prej prodhuesve më të mëdhenj të automjeteve në botë si Ford, GM dhe Volkswagen.

Prodhuesi vietnamez i automjeteve elektrike u listua në Nasdaq pas përfundimit të bashkimit të tij me kompaninë amerikane Black Spade Acquisition. Pas debutimit në treg, “VinFast’ tani vlen 85 miliardë dollarë.

Ndërkohë, BMW dhe Volkswagen kanë vlerë rreth 69 miliardë dollarë, Ford me 48 miliardë dollarë dhe GM 46 miliardë dollarë.

Sipas kapitalizimit të tregut, Tesla është ende prodhuesi më i madh i automjeteve në botë me 739 miliardë dollarë dhe rivali kinez BYD është në vendin e katërt me një vlerësim prej 93 miliardë dollarësh.

VinFast është njësia e prodhimit të makinave të konglomeratit vietnamez Vingroup dhe u themelua në vitin 2017. Analistët kanë thënë më parë se aksionet e saj janë jashtëzakonisht të paqëndrueshme për shkak të natyrës së tyre spekulative.

Zgjerimi i VinFast në SHBA është përballur me pengesa, duke përfshirë dërgesat e vonuara për klientët e saj të parë për shkak të një problemi softueri. Kompania, e cila ende nuk ka regjistruar një fitim, përfundimisht ua dorëzoi ato automjete blerësve të parë amerikanë në mars, disa muaj pas objektivit të saj të dhjetorit.

VinFast po ndërton një fabrikë në Karolinën e Veriut për të konkurruar me prodhuesit Tesla dhe BYD në tregun amerikan, si dhe me prodhuesit tradicionalë të automjeteve që fokusohen gjithnjë e më shumë në hibride dhe automjete elektrike. Prodhuesi i automjeteve tha se objekti mund të prodhojë deri në 150 mijë automjete në vit në fazën e parë. Fabrika pritet të fillojë funksionimin në vitin 2025, një vit më vonë se objektivi i saj fillestar i vitit 2024.

/ SCAN

Lexo gjithashtu
Total
0
Share