Mjekët vullnetarë kanë kërkuar evakuuimin e fëmijëve drejt zonave të sigurta
Përleshjet kanë shpërthyer sërish në Khartoum. Shpërthimet u dëgjuan në jug edhe perëndim të Sudanit. Gjithashtu edhe përtej lumit Nil në jug të Khartoum banorët raportuan gjithashtu përleshje të ashpra. Thirrjet e fëmijëve kumbuan nëpër jetimoren më të madhe në Khartoum të quajtur “Mygoma” pas shpërthimeve.
Foshnjat e vendosura në katet e sipërme të jetimores shtetërore humbën jetën. Autoritetet kanë deklaruar se edhe kriza ushqimore ka çuar gjithashtu në një numër të lartë vdekjesh tek fëmijët të cilët kanë humbur jetën për shkak të kequshqyerjes, sëmundjeve dhe dehidrimit.
“Situata është shumë e keqe, në tre ditët e fundit humbën jetën 11 fëmijë. Situata është jashtëzakonisht e vështirë. Kjo është një thirrje për ndihmë, humanizëm, paqe dhe shpresë, shpresë për një jetë normale dhe më të mirë për jetimët që janë bllokuar në Khartoum. Më shumë se 300 fëmijë vuajnë çdo ditë nga mungesa e furnizimeve ushqimore, kujdesi i duhur mjekësor dhe mbështetja e shëndetit mendor.”
Kushtet në këtë jetimore janë katastrofike. Dhomat nuk kanë ventilatorë apo ajër të kondicionuar, dhe mungesa e energjisë e bën të vështirë sterilizimin e pajisjeve. Reuters raporton se në jetimoren “Mygoma” kanë humbur jetën mbi 40 foshnja, por numri mund të jetë edhe më i lartë pas intensifikimit të luftimeve.
Banorët vendas kanë kërkuar që fëmijët të evakuuohen në një qytet të sigurtë pasi luftimet mund të marrin sërish jetë të tjera. Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite u kanë bërë thirrje palëve ndërluftuese në Sudan që të ndalin luftimet dhe të nisin sërish bisedimet për një armëpushim.
Ushtria dhe Forcat Paraushtarake të Sudanit kishin rënë dakord javën e kaluar për armëpushimin njëjavor të ndërmjetësuar nga SHBA dhe sauditët . Megjithatë, armëpushimi, si të tjerat para tij, nuk i ndali luftimet në kryeqytet, Khartoum dhe në vende të tjera. Konflikti ka vrarë qindra njerëz dhe ka shtyrë vendin drejt kolapsit. Sipas OKB-së, lufta ka detyruar gati 1.4 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në zona më të sigurta brenda Sudanit ose në vendet fqinje.
Klan News