Stuhitë e fuqishme përfshijnë Greqinë dhe Bullgarinë

“Daniel” sjell shkatërrim të përmasave të mëdha, viktima dhe dëme janë shënuar edhe në Turqi

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur qindra shtëpi, biznese dhe rrugë në Greqi. Stuhia Daniel tanimë i është drejtuar Peleponezit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Situata mbetet kritike në këtë rajon teksa lumenjtë rrezikojnë të dalin nga shtrati. Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe Evian veriore dhe atë jugore, ndërsa disa përrenj dhe lumenj kanë arritur pikën kritike.

Fshatrat Pili, Agia Anna, Strofilia, Metohi, Spathari në Evia Veriore kanë rregjistruar sasi rekord rreshjesh në vetëm 24 orët e fundit. Shtëpitë janë përmbytur, ndërsa disa rrugë janë mbyllur. Autoritetet i kanë bërë thirrje njerëzve që të pranojnë evakuimin. Autoritetet kanë kufizuar qarkullimin në Volos dhe zonën malore të Pelionit, ku stuhia ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike.

Nga ana tjetër rreshjet e dendura kanë shkaktuar probleme edhe në provincën veriperëndimore të Kırklareli, Turqi. Pamjet në rrjetet sociale tregojnë sesi rreshjet e fuqishme kanë përmbytur disa zona të pyllëzuara.

Ministria e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se ekipet u dërguan pas raportimeve për 12 persona të bllokuar. Dy persona humbën jetën ndërsa katër të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Gjithashtu edhe Stambolli u përfshi nga përmbytjet e fuqishme. Dy persona humbën jetën në distriktin Basaksehir ndërsa dhjetra automjete u përmbytën përfshirë edhe katet e para të banesave.

Moti i keq përfshiu edhe Bullgarinë, teksa autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Dy persona humbën jetën nga përmbytjet e shkaktuara nga shiu i rrëmbyeshëm në komunën Tsarevo në rajonin e Detit të Zi, ndërsa 60 të tjerë u evakuuan.

Fenomene esktreme të motit vijnë pas valës së të nxehtit që përfshiu gjatë kësaj vere edhe në vende të tjera europiane, një tjetër sinjal alarmi për pasojat katastrofike të ndryshimeve klimatike. Shembull për këtë janë edhe përmbytjet e ditëve të fundit me 3 viktima në Toledo të Spanjës që pasuan vapën përvëluese të Korrikut dhe Gushtit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share