Stuhia Ciarán godet Evropën Perëndimore

Stuhia Ciaran ka goditur Evropën Perëndimore. Moti i keq ka shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave në Francë dhe plagosjen e disa të tjerëve. Erërat me shpejtësi më të madhe se 190 km/h kanë shkulur pemët duke e bërë të pamundur lëvizjen e qytetarëve. Sipas autoriteteve franceze rreth 15 persona janë lënduar në pjesën perëndimore dhe veriore të vendit. Shtatë nga të lënduarit janë punonjës të ekipeve të emergjencës.

Rreth 1.2 milionë familje franceze kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa linjat hekurudhore në një zonë të Francës Perëndimore janë pezulluar. Pa energji elektrike janë mijëra banorë edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Disa banorë janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në hotele. Qindra shkolla në jugperëndim të Anglisë janë të mbyllura ndërsa aeroportet dhe linjat hekurudhore kanë ndalur punën.

Autoritetet britanike u kanë bërë thirrje banorëve që të përgatiten për përmbytje, pasi nivelet e disa lumenjve mbeten të larta. Në Spanjë, ku stuhia goditi pjesën më të madhe të vendit me shira të dendur dhe erëra të forta është shënuar edhe një viktimë. Një grua humbi jetën pasi  një pemë ra mbi të. Tre persona të tjerë po në kryeqytetin spanjoll kanë mbetur të lënduar. Parqet në kryeqytet dhe qytete të tjera në Spanjë u mbyllën dhe disa fluturime u anuluan. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Belgjikë aty ku ka edhe një viktimë dhe raportohet për disa të lënduar.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share