Katër persona kanë humbur jetën në Teksas pasi stuhia tropikale “Beryl”goditi këtë shtet.
Miliona banorë kanë mbetur pa energji elektrike dhe sipas autoriteteve amerikane do të duhen disa ditë për të rregullar rrjetin. “Beryl” mbërriti si një uragan pranë qytetit të Matagorda rreth 130 kilometra në jugperëndim të Hjustonit, herët të hënën në mëngjes, por që atëherë ka humbur fuqinë duke u shndërruar në një stuhi. Aeroportet mbetën të mbyllura për shkak të erërave të forta të vazhdueshme.
Qendra Kombëtare e Uraganeve të SHBA-së lëshoi paralajmërime për disa pjesë të Teksasit dhe Luizianës për tornado, përmbytje dhe erëra të forta.
Meteorologët parashikojnë se “Beryl” do të vazhdojë të lëvizë në drejtim të verilindjes në ditët në vijim dhe pritet të dobësohet më tej. “Beryl” u formua në Atlantik në fund të qershorit dhe u forcua shpejt në një uragan të madh dhe më 1 korrik goditi Karaibet duke i marrë jetën 10 personave.
Klan News