Struganët pa Hogan në Luksemburg / Duro: Kam besim tek forca e skuadrës

Do të luhet nesër në mbrëmje ndeshja kthyese e Conference League mes Swift Hesper nga Luksemburgu dhe Struga Trim Lum, përcjell KlanM.

Struganët shkojnë në Luksemburg me rezultat shumë favorizues për ta pas fitores 3:1 javën e kaluar në Shkup.

Trajneri i ekipit strugan, Shpëtim Duro para ndeshjes shprehet optimist, duke besuar në forcën e skuadrës së tij.

“Vijmë pas një rezultati pozitiv në ndeshjen e pare, por janë edhe 90 minuta për t’u zhvilluar. Kam biseduar me skuadrën dhe u kam thënë futbollistëve që duhet ta fshijmë nga mendja rezultatin e ndeshjes së parë. Duhet të bëjmë maksimumin në këtë ndeshje dhe të arrijmë kualifikimin në turin tjetër. Shpresoj që skuadra të bëjë një paraqitje të mirë, në vazhdën e lojërave që kemi zhvilluar në fushën tonë dhe në transfertë me Zalgirisin dhe Buducnostin”, deklaroi trajneri Shpëtim Duro.

Ndërkaq, një mungesë për Struga Trim Lum do të jetë ajo e Hogan Ukpa, i cili nuk ka mundur të udhëtojë drejt Luksemburgut për shkak të vizës. Për këtë, trajneri Duro u shpreh i habitur, duke thënë se është e çuditshme që të mos jepet viza në kohë edhe pse lojtari në fjalë ka zhvilluar 5 ndeshje europiane në këtë cikël garash. Por megjithatë, sipas Duros, skuadra ka forcë dhe kapacitetin për paraqitje dhe rezultat pozitiv edhe në Luksemburg./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share