Sot edhe zyrtarisht kampioni aktual në futbollin e Maqedonisë, Struga Trim Lum ka startuar me fazën e përgatitjeve në prag të stinorit pranveror. Struganët do të tentojnë të bëjnë më të mirën për të vazhduar rrugëtimin e nisur në pjesën e parë të sezonit, ku arritën të ngjiten në pozitën e parë.
“Skuadra sot nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, zhvilloi seancën e parë stërvitore. E njëjta u zhvillua në Strugë, aty ku do të qëndrojmë deri më datë 19 janar, ndërsa nga 20 janari deri me datë 3 shkurt do të zhvendosemi në Antalia të Turqisë, aty ku do të zhvillojmë edhe fazën kryesore të përgatitjeve”, thonë nga klubi strugan.
Për fazën përgatitore në Antalia, siç përcjell KlanM, ekipi i drejtuar nga Shpëtim Duro ka planifikuar të zhvillojë edhe 4 ndeshje kontrolluese, me kundërshtarë të huaj.
“Fazën e fundit para startit të sezonit pranveror do ta zhvillojmë sërish në Strugë, aty ku rikthehemi me datë 4 shkurt, ndërsa mes datës 9-10 kemi planifikuar të zhvillojmë edhe ndeshjen gjenerale para se edhe zyrtarisht të ju rikthehemi ndeshjeve kampionale”, thonë nga FC Struga Trim Lum.
Në grumbullimin e parë për këtë vit të skuadrës strugane prezent ishte edhe presidenti i klubit Arbtrim Qyra si dhe Drejtori Sportiv, Besart Isaku, të cilët pritet të mendojnë edhe për përforcimet e reja. Nuk pritet të ketë shumë përforcime, pasi stafi teknik beson tek emrat që kanë në disponim, të cilët përveç se e ngritën ekipin në pozitën e parë, dëshmuan futboll cilësor edhe në arenën ndërkombëtare./KlanMacedonia