Strasburg: Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

LËVIZJE TË LIRË NË ZONËN SCHENGEN MË SË VONI NGA 1 JANARI I VITIT 2024

Është nënshkruar vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai është nënshkruar nga presidentja e Parlamentit Evropian (PE) Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian (BE) në emër të kryesuesit të radhës.

Qytetarët e Kosovës përfundimisht mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së më së largu me 1 janar të vitit 2024.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me këtë rast është mbyllur një proces i gjatë që kishte edhe pengesa gjatë rrugës. Ai tha se kosovarët do të ndjehen më evropianë.

“Ka qenë shumë turpëruese kur qytetarëve u refuzoheshin aplikimet për viza. Vitin e ardhshëm më qytetarët e Kosovës nuk do t’u nënshtrohen këtij procesi, vitin vijues nuk do të kemi raste si ai i Eroll Bilibanit, drejtorit të DokuFestit, i cili mori ftesë për të marrë pjesë në Berlinale, por anuloi udhëtimin shkaku i refuzimit të vizës apo si i pingpongistëve që nuk morën pjesë në Evropian shkaku i vizës. Nuk do të kemi rast si ai i Jeton Nezirajt, që mori çmim të rëndësishëm evropian, por u desh ta anulonte udhëtimin shkaku i vizës”, tha Besnik Bislimi.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën në negociatat me Këshillin Evropian për çështjen e vizave, e konsideroi padrejtësi këtë vonesë.

“Të gjithë shtetasit e tjerë të rajonit mund të udhëtonin të lirshëm me përjashtim të atyre të Kosovës. Ishte e padrejtë dhe e paarsyeshme dhe kjo situatë tashmë ka mbaruar. Kosova punoi shumë për të plotësuar të gjitha kushtet, dhe i plotësoi ato para shumë viteve. Ky nuk është moment i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe për ne, për Bashkimin Evropian, pasi më në fund përmbushi premtimin e bërë”, tha Raportuesi i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten.

Vendimi pritet të publikohet në gazetën zyrtare dhe pastaj hyn në fuqi pas 20 ditësh. Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që i liberalizohen vizat.

Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share