“SHTIM TË PËRHERSHËM TË FORCAVE TË NATO-s”
Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ishte një shenjë që konfliktet mund të rikthehen në Ballkanin Perëndimor ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Ai gjatë së hënës qëndroi në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Në takim me presidenten Vjosa Osmani tha të kenë diskutuar për sigurinë ndërsa suslmin e 24 shtatorit e cilësoi të papranueshëm dhe kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
”Dhuna që e kemi parë në Banjskë është arsyeja pse kemi rritur praninë tonë dhe që është vendosja me e madhe e KFOR për një dekadë. NATO nuk është institucion i zbatimit të ligjit por Policia dhe EULEX-i. Këtë shqetësim do ta ngris nesër në Beograd dhe ata që qëndrojnë prapa sulmit të mbahen përgjegjës. Po e rishikojmë nëse duhet të ketë një rritje të përhershme të ushtarëve të NATO-s në Kosovë që të sigurohemi që sulme të tilla të mos përsëriten” – tha Jens Stoltenberg.
Përmendi edhe sulmin e muajit maj ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zvecan.
“Në maj ushtarët e KFOR-it u sulmuan. 93 ushtarë u lënduan rëndë dhe disa prej tyre edhe me rrezik për jetë” – tha Stoltenberg.
Mirëpriti propozimet e bëra rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe një paqeje të qëndrueshme” – tha Stoltenberg.
Nuk dha shpresa për anëtarësim të Kosovës në NATO.
”Anëtarësimi në programimin për Partneritet për Paqe kërkon vota unanime nga të gjitha shtete anëtare. Nevojitet vendimi i të gjitha aleatëve nuk e di kur mund të merret një vendim i tillë” – tha Stoltenberg.
E presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga NATO t’i dërgojë mesazhe të qarta Serbisë, për tërheqjen e forcave të shtuara në kufi me Kosovën.
”Anëtarësimi në NATO është qëllim i Kosovës. Përfshira në partneritetin për paqe e pastaj edhe anëtarësimi në NATO është garanci për rajonin. Stërzgjatja e këtij procesi prodhon pasoja” – tha Vjosa Osmani.
Stoltenberg ka takuar më pas kryeministirn Albin Kurti për të vazhduar vizitën në Beograd ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuciq. Ndërsa në Maqedoninë e veriut do të takojë kryeministrat e vendeve të tjera të rajonit përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.