Stoltenberg: Sulmi i 24 Shtatorit në Kosovë, dëshmi se konflikti mund të kthehet në Ballkanin Perëndimor

Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ishte një shenjë që konfliktet mund të rikthehen në Ballkanin Perëndimor ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai gjatë së hënës qëndroi në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Në takim me presidenten Vjosa Osmani tha të kenë diskutuar për sigurinë ndërsa suslmin e 24 shtatorit e cilësoi të papranueshëm dhe kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Dhuna që e kemi parë në Banjskë është arsyeja pse kemi rritur praninë tonë dhe që është vendosja me e madhe e KFOR për një dekadë. NATO nuk është institucion i zbatimit të ligjit por Policia dhe EULEX-i. Këtë shqetësim do ta ngris nesër në Beograd dhe ata që qëndrojnë prapa sulmit të mbahen përgjegjës. Po e rishikojmë nëse duhet të ketë një rritje të përhershme të ushtarëve të NATO-s në Kosovë që të sigurohemi që sulme të tilla të mos përsëriten”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Përmendi edhe sulmin e muajit maj ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zvecan.

“Në maj ushtarët e KFOR-it u sulmuan. 93 ushtarë u lënduan rëndë dhe disa prej tyre edhe me rrezik për jetë”, tha Stoltenberg.

Mirëpriti propozimet e bëra rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe një paqeje të qëndrueshme”, tha Stoltenberg.

Nuk dha shpresa për anëtarësim të Kosovës në NATO.

“Anëtarësimi në programimin për Partneritet për Paqe kërkon vota unanime nga të gjitha shtete anëtare. Nevojitet vendimi i të gjitha aleatëve nuk e di kur mund të merret një vendim i tillë”, tha Stoltenberg.

E presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga NATO t’i dërgojë mesazhe të qarta Serbisë, për tërheqjen e forcave të shtuara në kufi me Kosovën.

“Anëtarësimi në NATO është qëllim i Kosovës. Përfshira në partneritetin për paqe e pastaj edhe anëtarësimi në NATO është garanci për rajonin. Stërzgjatja e këtij procesi prodhon pasoja”, tha Vjosa Osmani.

Stoltenberg ka takuar më pas kryeministirn Albin Kurti për të vazhduar vizitën në Beograd ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuciq. Ndërsa në Maqedoninë e veriut do të takojë kryeministrat e vendeve të tjera të rajonit përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share