SHKUP: PËRFUNDOI TAKIMI JOFORMAL I LIDERËVE TË VENDEVE ANËTARE TË NATO-S NGA BALLKANI
Ka përfunduar takimi joformal i liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni, ku nikoqirë ishin Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në takimin që për herë të parë u mbajt në RMV, pas anëtarësimit të vendit në NATO, morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq. Në fokus të bisedimeve ishin çështjet aktuale që janë të rëndësishme për NATO-n si dhe çështje që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
Të ruhet paqa dhe stabiliteti në rajon si qëllim strategjik dhe bashkëpunim ndërkombëtar në këtë plan – ishin mesazhet e takimit joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga Ballkani Perëndimor me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Çështjet e sigurisë në rajon, lufta në Ukrainë dhe kriza në Lindjen e Afërt ishin temat që u biseduan në këtë takim, ku nikoqirë ishin Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Sekretari i Përgjithshëm I NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak kundër aleatëve të NATO-s, por ajo që shohim është rritja e tensioneve, veçanërisht në Kosovë. Aleanca është e shqetësuar nga zhvillimet në vende të rajonit, por duhet të kuptohet edhe fuqia dhe rëndësia e NATO-s. Në Kosovë kemi rritur praninë me armatim më të rëndë dhe rreth 1.000 ushtarë. Jemi të kujdesshëm dhe ndjekim nga afër situatën. Kur fqinjtë tanë janë më stabil, ne jemi më të sigurtë” – tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski përsëriti se situata e sigurisë është stabile dhe se nuk ka indikacione për cënimin e saj. Por, Kryeministri përmendi edhe integrimin në Bashkimin Evropian, që sipas tij, s`ka alternativë.
“Detyra jonë edhe shtëpisë është të vazhdojmë të punojmë shpejtë dhe me përkushtim për integrim të plotë në BE, sic bëmë me integrimin në NATO. Integrimi në BE është qëllimi ynë, s`ka alternativë tjetër. Nëse shpejt do të jemi atje, tani varet vetëm nga ne dhe vendimet që duhet t`i miratojmë në Kuvendin tonë” – tha Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se paqa në rajon është e brishtë. Ai propozoi që në të ardhmen, më shpesh të mbahen takime të këtila me vende anëtare të NATO-s por edhe me vende që kanë marrëveshje partneriteti me Aleancën.
“Posaçërisht e angazhuar me më shumë trupa për të siguruar kufirin mes Serbisë dhe Kosovës i cili është burim i shumë të këqijave dhe prej të cilit penetrojnë edhe individë, grupe, forca, që synojnë të destabilizojnë Kosovës. Është e padiskutueshme e jo më kot sekretari e nënvizoi pavarësisht se nuk është një instrument i drejtpërdrejtë i NATO-s, por i BE, që e vetmja rrugë për të trajtuar të gjitha problemet që duhen zgjidhur drejt paqes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës është rruga e ndërmjetësuar e dialogut e BE” – tha Rama.
Shefi I NATO-s paralajmëroi bashkëpunim të ngushtë, sikurse gjatë përgatitjeve për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington vitin e ardhshëm, ku sic theksoi Aleanca do të vazhdojë të punojë për të ndërtuar të ardhme të përbashkët dhe përforcimin e sigurisë kundër konkurencës gjeostrategjike dhe mbështetjes së Ukrainës. /KlanMacedonia/