Stoltenberg: Duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainë

“Ne duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë me grupin mediatik gjerman Funke, të botuar të dielën.

“Ne të gjithë dëshirojmë një paqe të shpejtë”, tha zoti Stoltenberg, “por në të njëjtën kohë, nëse Presidenti Zelenskyy dhe ukrainasit e ndalojnë betejën, vendi i tyre nuk do të ekzistojë më”.

Ndërkohë, herët të dielën Rusia vuri në shënjestër rajonin Odesa të Ukrainës me një sulm të kombinuar me dron dhe raketë, duke goditur një objekt bujqësor, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës në aplikacionin e mesazheve Telegram. Shkalla e dëmtimeve nuk u bë e qartë menjëherë.

Gjithashtu të dielën, Ukraina ndërmori sulme me dronë në Krime dhe Moskë. Një zyrtar rajonal i Krimesë tha se një dron goditi një rezervuar karburanti, duke shkaktuar një zjarr që u shua më vonë. Ndërsa dronët mbi Moskë ndërhynë në trafikun ajror mbi kryeqytet.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha të dielën në raportin e përditshëm mbi agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës se ushtria ruse ka gjasa ta përforcojë mbrojtjen e saj rreth qytetit të pushtuar Tokmak në Ukrainën jugore.

Qyteti Tokmak është 16 kilometra larg vijës së frontit dhe po përdoret për t’u bërë një “nyje” e linjës së dytë kryesore të mbrojtjes së Rusisë.

Përqendrimi i vëmendjes tek mbrojtja e qytetit “ka të ngjarë të tregojë shqetësimin e Rusisë në rritje për depërtimet taktike të Ukrainës në vijën kryesore të mbrojtjes në veri”, thuhet në raportin britanik./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share