Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka nisur ditën e sotme një vizitë dyditore në Tiranë. Kreu i shtetit gjerman është pritur në Presidencë nga Presidenti Bajram Begaj. Pas takimit, mes të dyve ka patur një konferencë të përbashkët për shtyp. Steinmeier në fjalën e tij u shpreh se Gjermania do të mbetet në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojë ta mbështesë vendin tonë në procesin e anëtarësimit.
“Ju premtoj zoti President që në kontekstin e reformave të nevojshme për procesin e anëtarësimit ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim sipas mundësive tona dhe një hap mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim është kryer më 19 Korrik, pra të këtij viti, me çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Përgëzimet e mia të përzemërta për këtë. Shpresoj që shumë shpejt Shqipëria të mund të bëhet pjesë e BE-së edhe në dimensionet formale të tij.
Gëzohem shumë i nderuar zoti President për dy ditët e ardhshme të vizitës sime. Unë ju siguroj që Gjermania do të vazhdojë të mbetet në krah të Shqipërisë. Gëzohemi edhe për shumë takime interesante, biseda interesante, përshtypje të reja që mund të mbledhim këtu në Shqipëri dhe do të mund t’i marrim sërish në Gjermani”, u shpreh Steinmeier.
Presidenti gjerman përgëzoi Shqipërinë për progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai u shpreh se përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim janë vendimtare për anëtarësimin në BE.
“Edhe për këto suksese dëshiroj t’ju përgëzoj përzemërsisht, në mënyrë të veçantë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka kërkuar sikurse e dimë mjaft mirë një volum mjaft të madh pune dhe përpjekjesh dhe sukseset në këtë rrugë janë me rëndësi vendimtare për anëtarësimin në BE, pasi BE e konsideron veten si komunitet i të drejtës dhe sipas të drejtës për demokracitë funksionale. Mendoj që suksesi në këtë drejtim do të ishte në interesin tonë të përbashkët.
Jam shumë i sigurtë që Shqipëria do ta pasurojë BE-në edhe në dimensionin kulturor të saj. Shkëmbimi i ardhshëm, i cili do mbështetet nga BE, do të hapë edhe më fort vendin tuaj, shumë më tepër qytetarë të BE-së do të kenë mundësinë që të shijojnë mikpritjen tuaj të madhe, larminë tuaj unike kulturore sikundër edhe bukuritë natyrore të vendit tuaj”, u shpreh Steinmeier.
Përgëzime pati edhe për angazhimin e Shqipërisë gjatë procesit të Berlinit për marrëveshjet e nënshkruara mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Marrëveshjet janë një gur kilometrazhi në marrëdhëniet rajonale dhe do të ndryshojnë në mënyrë domethënëse realitetin jetësor të njerëzve”, u shpreh Steinmeier.
“Në mënyrë të veçantë na gëzon fakti që vitin e ardhshëm këtu në rajon pikërisht këtu në Tiranë do të zhvillohet samiti i Procesit të Berlinit”, tha Presidenti gjerman.
Steinmeier tha se Gjermania do të japë mbështetjen e saj edhe në krizën energjetike.
“Në këtë krizë aktuale ku flasim për energjinë, politikat energjetike, transformimet, furnizimet me energji, Gjermania dhe BE, Gjermania në rolin e saj si donatori më i madh dypalësh, janë angazhuar pra që të japin mbështetjen e tyre”, u shpreh Steinmeier./tvklan.al