Zëdhënësi i shefit të diplomacisë europiane ,Peter Stano nuk pranon që Bashkimi Europian ka aprovuar sanksione kundër Kosovës: Por Stano konfirmon, se Bashkimi Europian aprovoi masa kufizuese për shkak të përshkallëzimit të fundit të situatës, në Veri tê Kosovës. Sipas tij, 27 shtete anëtare të BE-së kanë artikuluar në një dokument, se cfarë presin, pasi edhe ngjarjet e djeshme provojnë se përshkallëzimi nuk ka marrë fund.
”Ishte një kërkesë e qartë për Kosovën dhe Serbinë për ndaljen e përshkallëzimit të tensioneve të fundit, veçanërisht në veri të Kosovës, të shkaktuara nga zgjedhjet parazgjedhore dhe zbatimi i rezultateve të zgjedhjeve në katër komunat. Dhe e thamë shumë qartë, nëse nuk do të ketë de-përshkallëzim të menjëhershëm, do të ketë pasoja negative për marrëdhëniet tona. Pra, ne themi se kjo status quo duhet kapërcyer. Ne duhet të kalojmë nga menaxhimi i krizës përsëri në një proces të qëndrueshëm. Dhe qetësia duhet të rikthehet në veri të Kosovës” – tha Peter Stano, zëdhënësi i KE-së:
Sipas Stanos, që prej 3 qershorit, shtetet anëtare të Bashkimi Evropian kanë përgatitur propozime masash me efekt të menjëhershëm, të cilat janë aprovuar dje. Këto masa kanë të bëjnë me pasoja financiare dhe politike, duke filluar me ndërprerjen e vizitave dhe kontakteve dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, si dhe bashkëpunimin financiar të BE-së me Kosovën. Stano nënvizoi, se këto masa dhe pezullime janë të përkohshme dhe të kthyeshme, në varësi të zhvillimeve në terren, hapave të besueshëm dhe vendimtarë që priten të ndërmerren nga kryeministri Kurti për t’i dhënë fund përshkallëzimit të situatës.
Peter Stano, zëdhënësi i KE-së:
“ Shtetet anëtare kanë mbështetur dje një sërë masash në lidhje me Kosovën dhe ne ende presim që kryeministri Kurti të zbatojë hapat që nevojiten për de-përshkallëzim të menjëhershëm. Plani i tij i propozuar prej pesë pikash, të cilin ai e vuri në dukje në letrën e tij drejtuar përfaqësuesit të lartë të BE-së, nuk arrin të adresojë në mënyrë adekuate disa elementë kyçe, të cilët janë shkaku kryesor i krizës së fundit dhe presim që ai t’i trajtojë urgjentisht me masa vendimtare”. është shprehur Stano.
Përgatiti: Erisa Zykaj – tv Bruksel