Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka përsëritur se çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogut në Bruksel, ndërsa i ka bërë thirrje kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, të mos vazhdojë me veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet.
Në një intervistë për “N1” të shtunën, Stano paralajmëroi se hapja e Urës së Ibrit mund t’i rrisë tensionet në veri.
“BE-ja, së bashku me partnerët e tjerë kyç, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Kurti që të mos vazhdojë me veprime të njëanshme, duke theksuar se çështjet duhet të zgjidhen me dialog”, ka thënë Stano.
Zëdhënësi i BE-së ka shprehur shqetësimin për krizën e vazhdueshme në dialogun Beograd-Prishtinë. Ai kritikoi “veprimet e njëanshme”, veçanërisht nga Kosova, siç është mbyllja e postave serbe në veri, të cilat i përshkroi si fatkeqe dhe të dëmshme për komunitetet lokale. Ai bëri thirrje për kthim në dialog konstruktiv.
Stano në intervistë ka thënë se BE-ja është ndërmjetëse, jo zbatuese dhe se mund të lehtësojë vetëm dialogun. Ai pranoi se dialogu ka ngecur për shkak të mungesës së angazhimit nga të dyja palët, por theksoi se është bërë përparim në disa fusha. Ai theksoi rëndësinë e lidershipit politik lokal në arritjen e kompromiseve të nevojshme.
Autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime gjatë kësaj jave në veri të vendit për ta hapur Urën e Ibrit, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve – por s’u zbatua.
Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.