Specialja arreston dy persona për pengim të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

ZPS-ja theksoi se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan më 5 tetor në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe se ata janë dërguar sot në ndërtesën e paraburgimin të DHSK-së në Hagë, ku do të dalin para një gjykatësi të procedurës paraprake më 9 tetor.

Ata dyshohet se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara, sipas njoftimit.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Januzit dhe Bahtjarit më 2 tetor 2023.

“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan për shkeljet e kryera kundër administratës së drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale… pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.

Në arrestimin e tyre ndihmuan edhe Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës në përputhje me legjislacionin e Kosovës, tha ZPS-ja.

Sipas aktakuzës së konfirmuar “midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 për ta nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë…. më pas ata u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me dëshmitarin 1.”

Bahtjari dhe Januzi do të paraqitet para gjykatësit të hënën, 9 tetor, në dy seanca ndarëse në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share