Shtetasit e Maqedonisë së Veriut deri në fund të vitit do të duhet të ndërrojnë dokumentet e identifikimit, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Dokumentet e reja të identifikimit do të duhet të mbajnë emrin e ri të shtetit, respektivisht Republika e Maqedonisë së Veriut.
“Për këtë qëllim, si MPB, miratuam Rregullore për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për mënyrën e mbajtjes së evidencës për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për formularët që aplikohen ose lëshohen. Njëkohësisht, ekipet e punës nga Departamenti i Informatikës dhe Telekomunikacionit dhe Departamenti i Çështjeve Civile në bashkëpunim me MIOA, bënë të mundur që përmes Portalit Kombëtar të Shërbimeve Elektronike, të zbatohet kërkesa nëpërmjet një adrese emaili ose një smartphone”, thuhet në njoftimin e Spasovskit.
“Deri në fund të vitit duhet të ndërrohen dokumentet e identifikimit me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut”, tha mes tjerash Spasovski.
Ministri Spasovski gjithashtu kritikoi pushtetin lokal për ndërrimin e emrave të rrugëve, gjë që sipas tij, vonon nxjerrjen e dokumenteve personale.