Spartak Koka sjell boçe kanabisi në studion e Uniko, i vë zjarrin në transmetim direkt

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus trajtoi tematikën e serave me kanabis, të cilat u gjetën në fshatin Rërëz të Beratit, ku u sekuestruan 871 kg boçe kanabisi dhe 700 arka me bimë kanabisi në proces përpunimi.

Kamera e Uniko u fut brenda ambienteve të këtyre serave ku ishte përpunuar kanabisi. Aty gazetari Spartak Koka gjeti edhe disa mbetje të kanabisit pas aksionit të policisë për sekuestrimin dhe shkatërrimin e tyre.

Një pjesë të këtyre mbetjeve të kanabisit, gazetari Koka i mori në studion e emisionit Uniko, ku së bashku me profesorin dhe ekspertin Fabian Zhilla, dogjën këto mbetje të boçes së kanabisit në shenjë demonstrimi kundër kanabis sativës.

Spartak Koka: Kaq shumë kanabis kishte atje brenda sa ne gjetëm mbetje të kanabisit në vendngjarje dhe e sollëm për të ilustruar se si policia, edhe pas 3 ditësh, kishte lënë mbetje të kanabisit në zonë. Pra, kaq shumë dhe në kaq sasi megjithëse kishte punuar policia në 3 ditë, nuk kishte arritur dot ta hiqte të gjithë kanabis sativën.

Prof.Fabian Zhilla: Unë shpresoj që ajo të jetë majdanoz sepse nuk lejohet sipas ligjit që ju të posedoni kanabisin, duhet ta merrni në formë të autorizuar, por unë shpresoj që ju e keni në formë demonstrative. Mesa kuptoj unë do të të ketë zënë dhe gripi sepse ajo ka erë të ndryshme, por është tani përgjegjësi e juaj si gazetar që ta sqaroni.

Spartak Koka: Ne këtë sasi kanabisi e morëm nga atje për t’i treguar opinionit publik dhe të gjithë shqiptarëve një realitet i cili është ndryshe nga ai i cili na tregon policia dhe Ministria e Brendshme që fenomeni ka mbaruar. Dhe ata e kishin braktisur vendin e ngjarjes. Ne kemi hyrë me shiritat të cilat ishin shkëputur dhe nuk ishte më skenë krimi, por në realitet në atë vendngjarje kishte prapë kanabis. Dhe ne do e djegim këtë kanabis në mënyrë demonstrative për të treguar se nuk duhet të posedojë askush kanabis dhe është e rrezikshme.

Prof.Fabian Zhilla: Në qoftë se e kemi në kontekstin e dënimit të këtij fenomeni, kjo është një bimë e cila është e ndaluar të përdoret në të gjitha drejtimet dhe padyshim që ka edhe nga pikëpamja organike dhe mënyra se si po rritet, ka një efekt jashtëzakonisht negativ për ata të cilët e konsumojnë, sidomos tek të rinjtë tek të cilët ky fenomen është përhapur, do t’ju lutesha si përfaqësues i botës akademike, si mësues, sa më larg, mjaft më me mitin që kanabisi shqiptar është i cilësisë së shkëlqyer. Nuk qëndron kjo e vërtetë. Do të thotë mënyra se si po rritet sot kanabisit, prekursorët që po përdoren janë në shumicën e rasteve, pra elementët kimikë që i hidhen për të mbijetuar, janë tërësisht të ndaluar nga BE. Në këtë kontekst, le të shërbejë kjo lloj simbolike që po përdor gazetari dhe në këtë kontekst pra ne jemi kundër.

Spartak Koka: Ne jemi kundër kultivimit dhe jemi kundër përdorimit.

Prof.Fabian Zhilla: Ka vetëm pasoja negative sociale, shëndetësore dhe ekonomike për shoqërinë shqiptare.

Spartak Koka: Ne e dogjëm dhe këtë kanabis në mënyrë demonstrative. Është një fenomen i cili po na merr në qafë të rinjtë.

Prof.Fabian Zhilla: Shtresat e varfëra, po na prek pjesën rurale.

Spartak Koka: Edhe fëmijët, sepse ne shohim në shkollat e vendit që përdoret kaq lehtësisht dhe në çdo shkollë të vendit. Që nga shkolla 8-vjeçare ti gjen lehtësisht kanabis si ky, gjen heroinën, gjen kokainën dhe policia mundohet të bëjë operacione për statistik, u kapën 4 gram këtu, u kapën 5 gram atje, dhe përtej kultivimit ne duhet të luftojmë edhe pjesën tjetër atë të përdorimit, e veçanërisht tek fëmijët të cilët janë më të pambrojturit në shoqëri dhe nga ky fenomen dhe nga kjo strukturë kriminale.

Prof.Fabian Zhilla: Dhe të gjejmë rastin që ata të rinj të cilët ndihen të bullizuar, të cilët shohin që në shkollat e tyre ky është fenomen i përhapur, nëse kanë frikë të raportojnë në polici, gazetarët si Spartak Koka janë të hapur për të bashkëpunuar, unë jam i hapur. Kontaktoni gazetarët investigativë dhe ne do të bëjmë ç’është e mundur për të sensibilizuar këtë fenomen i cili është shqetësues, pra nuk është trimëri, nuk është status të konsumosh kanabis, sidomos për të rinjtë flasim këtu, por është absolutisht e dëmshme. Nga pikëpamja organike, kanabisi që rritet në Shqipëri është shumë i dëmshëm, nuk ndiqet, nuk respektohet asnjë rregull. Kështu që ju bëjmë apel sidomos të rinjve që të qëndrojnë sa më larg konsumimit të kanabisit.

Mbetjet e kanabisit të gjetura dhe të lëna pas nga policia në fermat narkotike të Beratit, u dogjën me djegie në studion e Uniko. Ftojmë policinë të rikontrollojë këto sera në fshatin Rërëz për të eliminuar çdo mbetje të lëndës narkotike. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share