Spartak Koka ngre alarmin: Po shiten informatorët e policisë te grupet kriminale

Duke marrë shkas nga ngjarjet kriminale në rang republike gjatë ditëve të fundit, gazetari i Tv Klan Spartak Koka ngre alarmin për mungesën e punës parandaluese nga policia.

I ftuar në studion e Klan News me moderatorin Leftion Peristeri, Spartak Koka theksoi se mungesa e punës parandaluese vjen si pasojë e shkatërrimit të rrjetit të informatorëve të Policisë së Shtetit.

Gazetari Koka deklaroi se informatorët e policisë në shumë raste janë shitur tek grupet kriminale, gjë që tregon se struktura të caktuara brenda radhëve të policisë janë të implikuar me kontegjintë të krimit të organizuar.

Spartak Koka: Nuk ka një punë parandaluese të institucioneve ligjzbatuese, nuk ka një punë e cila të lidhet me informacionin cilësor që ju vjen strukturave të policisë, është shkatërruar, e them me prova dhe me fakte, rrjeti i informatorëve në Policinë e Shtetit për shkak të rasteve të shumta dhe konkrete ku informatorët e policisë janë shitur tek grupet kriminale. Policia ka një rrjet sekret informatorësh të cilët i mban gjatë gjithë kohës dhe një nga shqetësimet kryesore të 2 ose 3 viteve të fundit është rënia drastike e informatorëve dhe cilësisë së informacionit të përcjellë nga informatorët.

Janë zbuluar, ka shumë raste që informatorët janë zbuluar dhe janë kërcënuar nga krimi i organizuar, çka tregon se brenda strukturave të policisë ka drejtpërdrejt implikim të segmenteve të caktuara që bashkëpunojnë me krimin e organizuar dhe ky është një lajm jo i mirë dhe një lajm i cili nuk i nxit qytetarët për të raportuar dhe për të informuar dhe për t’ju dhënë policisë informacion të dorës së parë që do shërbente për parandalimin e këtyre ngjarjeve apo për kapjen e autorëve pas ngjarjeve siç mund të jetë rasti i fundit i z.Nikulaj që në rast se nuk do kenë bërë ndonjë gabim ata, një informacion cilësor rreth autorëve do duhet të ndihmonte strukturat e policisë.   /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share