Sot hapet ura që do të transformojë udhëtimin në Ballkan

Ura Peleshac e Kroacisë nga 26 korriku do t’iu mundësojë udhëtarëve të shmangin disa pika të kontrollit kufitar.

Ura prej 2.4 kilometrash pritet të shkarkojë në mënyrë dramatike rrugët tokësore përgjatë bregdetit ballkanik

Shoferët në rrugën bregdetare të Kroacisë jugore aktualisht duhet të kalojnë një pikë të kontrollit kufitar në Bosnje e Hercegovinë, përpara se të kthehen sërish në Kroaci – që është territor i Bashkimit Evropian – rreth 9 kilometra më vonë.

Kroacia duhet të pranohet në zonën e lëvizjes së lirë, Shengen, në vitin 2024, dhe kalimi nëpër Bosnje do të ishte një pengesë masive për të.

Një kusht për anëtarësim në Shengen është që udhëtarët dhe automjetet të kontrollohen në hyrje dhe në dalje të territorit Shengen.

Pika shtesë e kontrollit në Neum të Bosnjës do ta rriste ngarkesën në trafik, sidomos gjatë muajve të nxehtë të verës, shkruan REL.

Disa opsione të tjera për kapërcimin e territorit të Bosnjës kanë përfshirë më herët një shërbim tragetesh, një tunel nënujor dhe një korridor “të mbyllur” autostrade përmes Bosnjës.

Punimet në urën e projektuar nga slloveni Marjan Pipenbaher kanë filluar në vitin 2018, pasi Bashkimi Evropian ka rënë dakord për të mbuluar 85 për qind të kostos, ndërsa Kroacia 15 për qind. Kostoja totale e projektit është 438 milionë dollarë.

Tenderin për ndërtimin e urës me katër korsi e ka fituar korporata kineze Rruga dhe Ura.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share