Real do titullin numër 20 në histori, Osasuna kërkon të parin
Mbrëmjen e sotme, në orën 22:00 do të luhet finalja e Kupës së Mbretit mes Real Madrid dhe Osasunës. Një sfidë historike për Osasunën, që synon titullin e parë kampion.
Nëse Osasuna triumfon, do të ishte trofeu i parë për klubin në historinë 100-vjeçare, teksa tifozët e saj do të mblidhen në sheshin kryesor të Pamplonës në veri të Spanjës për të parë finalen në ekranet e mëdha. Ndërkaq, në krahun tjetër, Real Madrid synon të fitojë Kupën e Mbretit për herë të 20, dhe të parën që prej vitit 2014.
Mbretërorët e kanë luajtur finalen e parë të Kupës së Mbretit 120 vite më parë dhe nuk duan të përsërisin rezultatin e vitit 1903, ku u mposhtën 3-2 nga Athletic Bilbao.
Në këtë sezon, Real Madrid ka një bilanc pozitiv, prej 1 fitoreje dhe një barazim, ku ka shënuar 3 gola dhe pësuar 1. Klubi mbretëror është favorit për të triumfuar, pasi mund të jetë edhe finalja e fundit me Ancelottin në pankinë.
Italiani pritet të largohet në fund të sezonit, teksa shpresa për titull është e gjallë edhe në Champions League.
Klan News