Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajur të mërkurën më 24 maj, ka bërë të ditur se kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, do të betohen sot.
“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe [do të bëhet]betimi i tre kryetarëve të rinj”, tha kryeministri dje, pa përmendur se për çfarë ndërtesash bëhet fjalë.
Por, kryetari i zgjedhur i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ceremonia e betimit solemn të tij do të mbahet në fshatin Boletin, në objektin “Kulla e Isë Boletinit”.
Betimin solemn, kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, do ta bëjë në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.
Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.
Derisa Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, në tri komunat tjera deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, por edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.
Në anën tjetër, vetëm Zubin Potoku e ka asamblenë komunale funksionale, ndërsa dy komunat tjera, Leposaviqi dhe Zveçani ende nuk i kanë të funksionalizuara ato. Mirëpo, konstituimi i kuvendeve komunale do të bëhet në të njëjtat objekte ku do të zhvillohet ceremonia e betimit.
Kryetarët e komunave nuk mund ta kryejnë betimin pa funksionalizimin e asambleve komunale, para të cilave solemnisht marrin detyrën.Kryeministri nuk qartësoi se si do të mundësohet zhvillimi i procesit të betimit.
Kurti, gjithashtu, bëri të ditur se në Komunën e Mitrovicës së Veriut, ku Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit, janë emëruar edhe katër drejtorë.
“[Janë] një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar – prej tyre dy gra – dhe ky është progres që duhet të normalizohet”, ka thënë dje Kurti.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.
Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.
Kurti tha se qytetarët serbë janë intimiduar nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në votime, por theksoi se Qeveria e Kosovës synon t’i funksionalizojë institucionet dhe punën në këto komuna, në mënyrë që të garantohen shërbimet publike për të gjithë qytetarët.
“Kjo nuk është zgjedhje, është obligim yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në Republikë”, u shpreh Kurti.
Lisa Serbe ka kundërshtuar zgjedhjet kryetarët e rinj në veri.
Pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, nënkryetari i kësaj liste, Igor Simiq, ka thënë se me këtë “filloi zyrtarisht pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”.
Simiq i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.
Ai shtoi se nëse kjo vazhdon, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, tha Simiq duke mos cekur se cilat janë këto mjete.
Më 18 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk duhet përdorur forcën për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës janë mbajtur më 23 prill, pasi Lista Serbe u largua nga institucionet e Kosovës në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që bartnin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, në targat legale RKS – Republika e Kosovës. /EO