Në finalen e Botërorit që do të nisë pas pak ka disa sfida. Argjentina kundër Francës, Scaloni përballë Deschamps. Messi me Mbappe.
Duket se ka një element fati rreth rrugëtimit të Messit gjatë këtij turneu. Planetet po vendosen në mënyrë të tillë që 35-vjeçari të largohet nga Botërori i tij i fundit duke fituar trofeun. Është pengesa e fundit për tu kaluar në mënyrë që Messi të shihet nga argjentinasit në të njëjtin nivel me Maradona.
Si kurrë më parë ai ka bërë të pamundurën për ta çuar skuadrën në këtë pikë. Messi e ka tërhequr prej dore vendin e tij në finale. Jemi 90 minuta larg për të zbuluar nëse ky është momenti i tij në histori.
E ndërsa një legjendë e Kupës së Botës duket se do të dalë, një e ardhme vazhdon të shkëlqejë.
Kylian Mbappé ka lënë tashmë gjurmën e tij në turne si adoleshent dhe shkon në finalen e sotme me mundësinë për ta fituar atë për herë të dytë madje do të synojë edhe Këpucën e Artë.
Mbappe do të përpiqet të jetë ai protagonisti i shfaqjes më të madhe të futbollit për ta bërë Francën fituese sërish. Atij i duhet vetëm të dallojë një të çarë të vogël në mbrojtësen e ngjeshur të Argjentinës për të depërtuar e për të prishur festën që Messi dhe skuadra e tij kanë organizuar.
Është finale dhe jo gjithmonë pritet sasi golash. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë një betejë taktike. Do të jetë një duel i trajnerëve Scaloni dhe Deschamps të cilët do të presin të gjejnë gabimin e kundërshtarit për ta ndëshkuar.
Është e gjitha për t’u përjetuar. Energjia dhe industria e futbollit të Argjentinës përballet me mashtrimet dhe dredhitë e Francës. Me siguri do të jetë një ndeshje magjepsëse.
Tv Klan