Sorensen – ndërmjetësuesi i ri i dialogut Kosovë-Serbi

Diplomati danez Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ishte propozuar për të zëvendësuar sllovakun Mirosllav Lajçak nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Kaja Kallas.

Sorensen do të nisë mandatin në fillim të muajit shkurt.

Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se me zgjedhjen e ketij diplomati nga Danimarka, palëve po ju dërgohet mesazhi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Gjatë mandatit pesëvjeçar të Miroslav Lajçak, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share