Sonte sfida Shqipëri – Çeki, emocionet kuqezi i përjetoni në ekranin e Tv Klan

Në orën 20:45 luhet ndeshja Shqipëri – Çeki në stadiumin “Air Albania”, e vlefshme për eliminatoret Euro 2024.

Emocionet e kësaj ndeshje do të keni mundësi t’i ndiqni edhe në ekranin e Televizionit Klan nën komentin e Alban Xhihanit dhe Andi Lilës.

Të gjitha biletat në stadium janë shitur, teksa tifozë të shumtë kuqezi janë mbledhur në Tiranë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por dhe nga shtete të tjera ku jetojnë e punojnë.


FORMACIONI I MUNDSHËM

Sylvinho pritet të ketë thuajse të gjithë lojtarët të cilët u aktivizuan në takimin e parë me Çekinë në Pragë. Ndryshimi i detyruar do të jetë në mbrojte ku Ismajlin e dëmtuar parashikohet ta zëvendësojë Ajeti që do të luajë në qendër bashkë me Gjimshitin, ndërsa në krahë do të jenë Hysaj dhe Mitaj. Në portë mendohet të aktivizohet Berisha. Në mesfushë pritet treshja Asllani, Ramadani, Bajrami. Në sulm nga minuta e parë mendohet ta nisin Cikallashi i mbështetur nga Asani dhe Seferi.


MASAT E POLICISË

Nga ana tjetër, policia ka marrë masa të shtuara sigurie, për të mos lejuar futjen në stadium të mjeteve piroteknike dhe sendeve të ndaluara.

2 mijë efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë në ndeshjen e kombëtares me Çekinë.

Në gatishmëri do të jenë edhe forcat speciale të RENEA-s, të cilat pak orë para nisjes së ndeshjes kryen kontrolle sigurie me qenë.


ATMOSFERA FESTIVE PARA NDESHJES

 

Tifozi i veçantë i Kombëtares Shqiptare, i cili pikturon në fytyrë flamurin kuqezi, Besmir Limani feston sot ditëlindjen. Edhe ditën e sotme tifozi nuk ka munguar ku në prag të ndeshjes shihet me shqiponjën e pikturuar në fytyre. Ai shprehet i lumtur që sot feston ditëlindjen me të gjithë tifozët e kombëtares, ku u shpreh se kjo është ditëlindja më e bukur.

“Nga ana ime unë ju përgëzoj të gjithëve që keni ardhur këtu për ditëlindjen time. Është ditëlindja më e bukur që kam festuar me ju bashkë. Faleminderit shumë! Do zoti me fitore sonte dhe forca shqipëri!”

Ndërkohë një tjetër tifoz ka zgjedhur një simbolikë të veçantë. Për të ndjekur ndeshjen ai ka zgjedhur që të vijë me një përkrenare si e heroit kombëtar Skëndërbeut në kokë

“Unë vij nga Suedia. Jam tifoz i vjetër, e mbështes kombëtaren në çdo ndeshje. Jo kjo ishte ideja ime(simbolika e Skënderbeut). Për herë të parë e kam parë në Stamboll të Turqisë. Do jem me tifozat kuqezi. Mendoj se do fitojmë 2-1.”


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të ndjekë sot në Tiranë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Çekisë, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2024.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka njoftuar se po vjen drejt Shqipërisë së bashku me Lulzim Jasharin, të birin e Adem Jasharit.

“Bashkë me Lulzim Jasharin rrugës për Tiranë në përkrahje të Shqipërisë. Forca djema. Evropiani po na pret”, shkruan Kurti në Facebook.


 

Nga lulishtja e “3 Vëllezërve Frashëri”, pranë bulevardit në Tiranë është një atmosferë e zjarrtë. Një tifoze mjaft e veçantë që përkrah kombëtaren shqiptare e veshur me flamurin shqiptar, ka ardhur posaçërisht nga Brukseli për ta mbështetur Shqipërinë në përballjen me Çekinë.

Në një intervistë të dhënë për gazetarin e Klan News, Maksi Rama, Miranda thotë se rezultati i ndeshjes mund të jetë 2 me 1 në favor të Shqipërisë.

Miranda: Unë kam ardhur nga Brukseli sot në mëngjes dhe jam me origjinë nga Dibra e Madhe. Isha dhe në ndeshjen me Poloninë, me Pragën, që prej 8 vitesh jam me tifozët kuqezi. E kam patjetër për të ardhur në çdo ndeshje.

Maksi Rama: Sot ke dhe një veshje shumë unike nga të gjithë këta që janë këtu, e kujt ishte ideja dhe prej sa kohësh e ke bërë?

Miranda: Ishte ideja ime dhe unë e kisha bërë për 28 Nëntorin dhe tani është bërë simbolike, në çdo ndeshje i marr këto me vete dhe e di që do të dalë shumë mirë.

Maksi Rama: A do të na japësh një parashikim se si do të dalë rezultati?

MirandaUnë mendoj 2-1 për Shqipërinë.

Maksi Rama: A keni arritur të siguroni një biletë për  në stadium për ta ndjekur nga afër?

Miranda: Po, por e di që ishte shumë e vështirë, për ne që jemi kuqezi e kemi pak më lehtë dhe bëjmë telefon direkt për të pasur një biletë të siguruar. Do të rri 2-3 ditë dhe pastaj do të kthehem.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share