Socialistët e Spanjës bashkohen në qeveri me separatistët katalanas

Pedro Sanchez votëbesohet në parlament për një mandat tjetër si kryeministër

Pas disa javë pazaresh politike, udhëheqësi socialist i Spanjës Pedro Sánchez mori votëbesimin në parlament për të udhëhequr vendin për një mandat tjetër si kryeministër.

Ai siguroi shumicën me vetëm katër vota plus në dhomën me 350 vende, pasi nënshkroi një marrëveshje koalicioni dhe u zotua për të miratuar një amnisti të përgjithshme për separatistët katalanas.

Konservatorët e Partisë Popullore fituan zgjedhjet në korrik, por udhëheqësi Alberto Núñez Feijóo nuk arriti të formojë një koalicion qeverisës.

Sánchez u tha deputetëve se marrëveshja për amnistinë e separatistëve do të ndihmojë vendin të “shërojë plagët”. Mbështetja e tij tek dy parti pro-pavarësisë të Katalonjës për të formuar shumicën ka zemëruar kundërshtarët, të cilët argumentojnë se marrëveshja e tij e propozuar për amnisti për qindra politikanë dhe aktivistë do të shkaktojë një tjetër përpjekje për shkëputje dhe kërcënon unitetin territorial të Spanjës.

Deputetët socialistë duartrokitën liderin e tyre për disa minuta kur u konfirmua rezultati i votimit, por deputetët u sulmuan nga protestuesit teksa po dilnin nga ndërtesa e Kongresit.

Fundjavën e kaluar dhjetëra mijëra spanjollë morën pjesë në protesta anembanë Spanjës dhe kreu i konservatorëve Feijóo akuzoi kryeministrin se ndjek interesat e tij dhe jo të vendit.

Kreu i Partisë Popullore i shtrëngoi dorën kundërshtarit të tij pas votimit, por më pas deklaroi para gazetarëve: “I thashë kreut të qeverisë se ky ishte një gabim, por ai është përgjegjës për atë që sapo ka bërë”.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share