Një 28-vjeçar u vu në prangat e policisë pasi mori peng 4 persona në një lokal në qytetin Ede, në Holandën qendrore. Situata e pengmarrjes, e cila zgjati më shumë se 6 orë, bëri që autoritetet të evakuonin 150 shtëpi në zonën përreth. Motivet e autorit të dyshuar nuk janë të qarta, por sipas autoriteteve vendase nuk ka të dhëna që të ketë lidhje me terrorizmin.
E përditshmja holandeze De Telegraaf raportoi se ngjarja ndodhi në Petticoat cafe, një bar kafe i zonës dhe lokal nate. Tre pengje u liruan gjatë orëve të para të së shtunës, ndërsa pengu i katërt u la i liri më vonë gjatë paradites. Kryebashkiaku i Ede, Rene Verhulst, tha në një konferencë për shtyp se pengjet ishin punonjës të lokalit, të cilët po merreshin me pastrimin.
Duke folur krah tij, prokurorja e përgjithshme Marthyne Kunst deklaroi se i dyshuari kishte me vete disa thika dhe një çantë shpine, por se çfarë kishte brenda mbetet e paqartë. Ajo shtoi se autori ishte i njohur për autoritetet policore dhe kishte qenë i dënuar të për një krim në të shkuarën.
Autoritetet do të hetojnë tashmë motivet e ngjarjes, ashtu sikurse gjendjen shëndetësore të pengmarrësit, tha Kunst.
Imazhet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë për një prani masive të forcave të policisë. De Telegraaf raportoi se në vendngjarje ndodhej edhe një negociator.
Kryebashkiaku Verhulst e cilësoi ngjarjen si një “situatë të tmerrshme” dhe tha se mendimet e tij shkonin tek ata që u prekën prej saj./tvklan.al