Kryeministri Talat Xhaferi mbrëmë ishte i pranishëm në evenimentin gala me të cilin u shënua hapja e skenës së re muzikore në Tetovë, respektivisht themelimi i institucionit më të ri të shqiptarëve, Institucioni Nacional Ansambli Muzikor i Republikës së Maqedonisë së Veriut – Tetovë.
Themelimi i këtij institucioni paraqet realizimin e kërkesës shumëvjeçare të kuadrove të cilët pasi përfundonin fakultetin muzikor, nuk kishin ku të vazhdojnë rrugëtimin e vet professional. Tani, në suazat e këtij institucioni në të cilin do të kultivohet dhe zhvillohet muzika serioze vokale dhe instrumentale, si edhe ajo e popullarizuar dhe xhaz, do të mund të kultivojnë dhe përsosin talentin dhe pasionin e vet të gjithë admiruesit e këtij zhanri.
Ndër tjerat, Kryeministri Xhaferi informoi për marrjen e pritur të vendimit në seancën qeveritare me propozim të Ministrisë së Kulturës me të cilin këtij institucioni i ndahen në përdorim të përhershëm hapësira të cilat tani janë në pronësi shtetërore.