Skandali “Partygate”, Boris Johnson jep dorëheqjen si deputet

Londinezët reagojnë të surprizuar nga dorëheqja e ish-kryeministrit britanik

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka dhënë dorëheqjen si deputet pasi një hetim mbi skandalin ‘Partygate’ zbuloi se ai ka gënjyer parlamentin.

Johnson kishte marrë një letër nga komisioni hetimor për çështjen e festave dhe u shpreh se anëtarët e tij janë të vendosur për ta përzënë nga parlamenti me të gjitha mënyrat.

“Unë nuk jam i vetëm që mendoj se kjo është një gjueti shtrigash që po zhvillohet për t’u hakmarrë për Brexit dhe përfundimisht për të ndryshuar rezultatin e referendumit të 2016”.

Dorëheqja e tij  pritet të sjellë më shumë përçarje brenda Partisë Konservatore në pushtet përpara zgjedhjeve të përgjithshme që priten vitin e ardhshëm. Në arenën politike ndërkombëtare Jonson do të mbahet mend për faktin që nxori Britaninë  e Madhe nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa vetë londinezët do të kujtojnë  atë për festat e paligjshme të mbajtura në rezidencën e tij në një kohë kur vendi ishte nën masat e rrepta për shkak të Covid-19.

“Mendoj se është mjaft e habitshme që ai ka dhënë dorëheqjen, nuk e prisja. Por me gjithçka që ka ndodhur gjatë 2 deri në 3 viteve të fundit, mendoj se është normale. Nuk i mbeti zgjidhje tjetër përveçse të largohej”.

“Epo, gjëja e parë që më vjen në mendje kur mendoj për të janë festat gjatë izolimit, por mendoj se ishte një orator i mirë, dinte të fliste. Mendoj se në përfundim të mandatit, ai bëri disa gabime.”

Johnson la të kuptohet se ai mund të përpiqet të kthehet sërish në politikë, duke thënë se po largohet nga parlamenti vetëm për momentin.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share