Skandali në M-NAV: VMRO DPMNE, “Levica” dhe LD-ja njëzëri – ndërhyrja e dhunshme akt terrorist!

Dënohet vendimi i gjykatës për mos caktimin e paraburgimit

Ky koalicion joevropian do të përgjigjet në mënyrë evropiane – thonë nga VMRO-DPMNE-ja, duke u zotuar se pas ndryshimt të pushtetit, një nga vendimet e para, do të jetë që të gjithë të implikuarit në skandalin në M-NAV, pa përjashtime, do të përgjigjen para ligjit.

VMRO-DPMNE e ka quajtur skandaloze edhe vendimin e gjykatës që të implikuarve u ka caktuar masë kujdesi e jo paraburgim.

Thonë se bëhet fjalë për një skandal me përmasa ndërkombëtare që ka cënuar sigurinë e udhëtarëve dhe linjave ajrore.

“Jozyrtarisht merret vesh se gjatë momentit të ndërhyrjes së dhunshme, në qiellin maqedonas ka pasur rreth 40 avionë, kurse 2 prej tyre, njëri nga një avio-kompani serioze, kanë qarkullur mbi Shkup dhe kanë pritur leje aterimi. Gjatë ditës ka pasur edhe dy aterime të avionëve të NATO-s. Që tragjedia të jetë më e madhe, në ndërhyrjen e dhunshme, ka marrë pjesë edhe vet sigurimi, që ka për detyrë ta mbrojë objektin”, deklaroi Naqe Çulev nga VMRO DPMNE

Kanë reaguar edhe nga ‘Levica”. Partia e Apasievit BDI-në e quan parti kriminale, LSDM-në totalisht të nënshtruar ndaj integristëve kurse VMRO-DPMNE-ja, sipas tyre, po hesht si partner paraprak koalicioni i BDI-së.

“Kuadrot e të ashtuquajturit “front evropian” të LSDM-së dhe BDI-së kanë për qëllim të vazhdojnë sundimin në këtë mënyrë. Përkundër numrit të madh të zyrtarëve policor, objekti strategjik i kontrollit të fluturimeve sigurohet përmes agjencisë private, e cila sikurse e gjithë kjo industri bazohet në lidhjet me partitë politike”, thonë nga Levica.

Gjykata u nënshtrua ndaj presioneve të BDI-së dhe nuk caktoi paraburgim për dhunuesit e BDI-së, thonë nga Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit.

“Nëse për këtë vepër penale nuk ka paraburgim për dhunuesit që mund ta përsërisin veprën, të ndikojnë tek dëshmitarët ose të arratisen nga vendi – të gjithë kanë pasaporta dhe dokumente identifikimi, sikurse katër të tjerë që janë të pakapshëm, atëherë nuk e dijmë se çfarë duhet të ndodh që të nis funksionimi i institucioneve shtetërore”, deklaruan nga Lidhja Demokratike.

Për incidentin në M-NAV kanë reaguar edhe nga BDI-ja. Nga partia e Ali Ahmetit thonë se Bashkimi Demokratik për Integrim, dënon me vendosshmëri çdo formë të dhunës dhe se siguria e të gjithë qytetarëve është thelbësore. Sipas integristëve, Incidenti që tentohet t`i mvishet padrejtësisht BDI-së, është rezultat i marrëdhënieve të cënuara dhe rënduara midis kolegëve në një mjedis pune dhe nuk ka asnjë lidhje të vetme me çështje politike e aq më pak me BDI-në./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share