Në pijet e disa grave është hedhur një substancë e panjohur që shkakton humbje të vetëdijes
Një skandal ka përfshirë partinë e Kancelarit gjerman Olaf Scholz. Mediat gjermane raportojnë se gjatë festës tradicionale, disa grave u është hedhur në pije një substancë me pika, që u ka shkaktuar humbje të vetëdijes.
“Tagesspiegel” raporton se ngjarja ka ndodhur gjatë festës së Grupit Parlamentar të SPD-së, në Berlin, ku i pranishëm ka qenë dhe vetë Kancelari i Gjermanisë si dhe deputetë, punonjës të Bundestagut gjerman.
Një 21-vjeçare e cila ishte pjesë e festës ka deklaruar se nuk ndihej mirë, kishte marramendje dhe humbje të kujtesës.
Sipas policisë, gruaja ka ngrënë dhe ka pirë, por nuk ka konsumuar alkool. Ajo më pas u shtrua në spital por ngjarjen nuk e mbante mend. Ndërkaq pas daljes nga spitali ajo e ka denoncuar këtë ne polici.
“Tagesspiegel” bën me dije se kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Mathias Martin u ka drejtuar anëtarëve të SPD-së të Bundestagut një letër, ku thuhet: “Në festën tonë të verës pati sulme ndaj kolegëve me një ilaç misterioz. Kjo është një ngjarje skandaloze, të cilën e raportuam menjëherë në policinë e Bundestagut”.
Bashkëdrejtuesi i socialdemokratëve, Lars Klingbeil, i tha televizionit Welt se ishte i zemëruar që diçka e tillë mund të ndodhte në një ngjarje të organizuar nga partia. Ai tha se lidershipi i grupit parlamentar po bashkëpunon me autoritetet dhe shpreson që autori ose autorët të mund të kapen dhe më pas të vihen para drejtësisë.
Policia e Berlinit ka nisur hetimet nëse personat kanë pasur edhe shenja dhune në trup. Autoritetet gjermane njoftojnë se kanë rezultuar të prekura me këtë lëndë të rrezikshme tetë gra, nga të cilat 5 kanë shfaqur shenja më të rënda.
Hetimet konsiderohen të vështira sepse viktimat shpesh nuk e mbajnë mend ngjarjen. Grupi parlamentar i SPD rekomandon që personat e tjerë të prekur ta raportojnë menjëherë këtë në polici.
Klan News