“S’ka para për ëmbëlsira”, shumë familje ruse në vështirësi ekonomike

Për Darya Stepanova, nënë e dy fëmijëve që jeton në një qytet të vogël në anën lindore të maleve Urale, kostoja e lartë e jetesës e ka detyruar të bëjë sakrifica për të siguruar jetesën. Familja Stepanov është një nga miliona familjet ruse që përballen çdo ditë me një kosto të lartë jetese e cila nisi pas luftës në Ukrainë dhe sanksioneve të vendosura nga Perëndimi. Stepanova dhe familja e saj e vogël përpiqen të sigurojnë jetesën me 50,000 rubla (550 dollarë) në muaj që i shoqi Sergei fiton.

Kur kalon nëpër dyqane, ajo shikon me vëmendje çmimet e produkteve.

“Më parë, kur unë punoja para se të bëhesha me fëmijën e dytë, shpenzoja për ushqim dhe dija si t’i ndaja paratë, por tani që kam një të ardhur më pak në buxhetin e familjes, fillon të vlerësosh më shumë paranë.”

Në banesën e saj në Sredneuralsk, një qytet në brigjet e liqenit Iset rreth 25 km (15 milje) në veri të qytetit Yekaterinburg dhe 1400 km (870 milje) në lindje të Moskës ajo thotë për gazetarët e agjencisë së lajmeve “Reuters” se jetesa është vështirësuar shumë.

“Kur shkon në dyqanin ushqimor ku më parë mund të blije ushqime me vlerë një mijë rubla të cilat zgjasin për tre deri në katër ditë me lehtësi, tani një mijë rubla nuk janë asgjë, mund të blesh vetëm ushqim për të mbuluar nevojat e përditshme, si qumësht, kos, bukë dhe kupton se paratë e tua janë zhdukur.”

34-vjeçarja thotë se pelenat për fëmijët dhe qumështi që blen në dyqan për djalin e saj të porsalindur kushtojnë më shumë krahasuar me vitet e mëparshme.

“Një nga fëmijët e mi është pesë vjeç, një tjetër është i porsalindur dhe mund ta kuptoj se sa është shtrenjtuar gjithçka në këto pesë vjet. Pelenat janë dy deri tre herë më të shtrenjta tani, ushqimi për fëmijë, çdo gjë është katër herë më e shtrenjtë.” Stepanova thotë se çmimi i karrocave për fëmijë është trefishuar.

“Pesë vjet më parë bleva një karrocë për fëmijë 20 mijë rubla, këtë herë shpresoja të njëjtin çmim, ok, le të themi 30 mijë. Shkoj në dyqan dhe shoh se karroca kushton 60 mijë.”

Monedha ruse ka rënë kundrejt dollarit amerikan që nga shkurti i vitit 2022, kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi trupat ruse të hynin në Ukrainë, duke i bërë mallrat e importuara më të shtrenjta.

“Ne nuk shkojmë më në restorante tani. Nuk hamë më jashtë. Unë po gatuaj të gjitha vaktet në shtëpi. Paratë që mund t’i shpenzonim në një restorant më parë ose të porosisnim një pije, i shpenzojmë për ushqim. Nuk ka para për ëmbëlsira. Sigurisht që mund të jetosh pa to, por jeta tani është me siguri më pak e këndshme.”

Ndërsa në një treg ushqimor në qytetin e Shën Petersburgut, Lyudmila thotë se kërkon ulje cmimi tek pronarët që njeh.

“Sigurisht që kostoja e lartë e jetesës na prek. Ne po blejmë më pak ushqim tani. Po përpiqem të kërkojmë zbritje të paktën te miqtë e mi ,Kjo është ajo që mund të bëj. Çfarë më mbetet tjetër? Sigurisht që nuk do të vdes dhe as nuk do të qaj, do të përpiqemi të mbijetojmë disi.” Çmimet e mallrave të përditshme janë rritur s’mund ta them për të gjitha produktet. Por sinqerisht, kjo po bëhet shqetësuese dhe e pakëndshme.”

Të njëjtin mendim kanë edhe banorë të tjerë.

“Çmimet kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Janë rritur shumë. Me 50 ose edhe 100 për qind. Dhe nuk po flas vetëm për ushqimet. Të gjitha të tjerat mallrat e tjera , janë ngritur me të paktën tre herë.”

Megjithatë, çmimet e disa produktve bazike kanë mbetur të njëjta.

“Më duhet të them se çmimet për disa gjëra nuk kanë ndryshuar. Disa ushqime dhe ëmbëlsira për shembull.Ti gjithmonë do të blesh qumësht dhe bukë, por nëse doni të blini sushi psh , do ta mendosh dy herë. Unë e blej shumë më pak tani, vetëm për ditë të veçanta.”

“Nuk kam kërkesa të jashtëzakonshme. Unë ha thjesht. Nëse pyet për mendimin tim; pa i analizuar shkaqet, po, çmimet janë rritur. Nëse ato rritet më shumë, mendoj se do të blejmë vetëm bukë dhe ujë. Por tani për tani blej të njëjtat mallra me të cilat jam mësuar.”

Igor Lipits, një ekonomist rus , thotë se rreth 20 milionë njerëz mund të jenë afër ose në prag të varfërisë në Rusi.

“70% e rusëve fitojnë më pak se 40.000 rubla në muaj. Kjo është një shumë e vogël parash. Dhe kjo është për person. Pra, ne flasim për një të punësuar në Rusi. Nëse ai ka një grua dhe një fëmijë , atëherë kjo familje praktikisht jeton në prag të varfërisë. Kjo është një shumë e vogël për t’u përballuar në Rusinë e sotme, të varfërit në Rusi janë rritur ndjeshëm.”

Megjithatë, ai thekson se shpesh autoritetet ruse i fshehin të dhënat reale.

“Shumë njerëz fitojnë shumë pak. Shifrat zyrtare për të varfërit, të ardhurat e të cilëve janë nën pragun e jetesës, luhaten ndërsa Shërbimi Federal i Statistikave të Rusisë po luan me numrat. Ekonomistët e Rusisë flasin për 20 milionë njerëz, kështu që është një në 7 persona në Rusi që jeton në varfëri. Dhe kjo panoramë më duket e vërtetë.”

Kur Putini erdhi në pushtet në vitin 1999, produkti i brendshëm bruto i Rusisë ishte 210 miliardë dollarë pas një dekade kaosi dhe tkurrjeje, por deri në vitin 2013 Putin forcoi ekonominë e cila shkoi në2.3 trilion dollarësh. Vitin e kaluar, PBB shkoi 2.2 trilion dollarë.

“Pra, sigurisht, që do të shfaqen shifra të fryra sepse janë zgjedhjet presidenciale përpara. Dhe ata duhet të japin idenë e ekonomisë së suksesshme nën drejtimin e një presidenti të madh. Por situata reale është e keqe. Dhe nëse ne shikoni nivelin bazë, çfarë po ndodh realisht në terren, edhe statistikat industriale të Rosstat ( Shërbimi Federal i Statistikave të Rusisë ) thonë se shumica e sektorëve janë në stanjacion.”

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritje të Rusisë prej 2.2% këtë vit – më shpejt se Shtetet e Bashkuara ose Eurozona – megjithëse Fondi e ka ulur parashikimin e tij për rritjen e vitit 2024 në 1.1%.

Kufiri i borxhit po shtrëngohet. Dhe kjo është gjithashtu pasojë e asaj që po ndodh me të ardhurat e njerëzve. Përsëri, është një tregues tjetër indirekt që ndihmon për të kuptuar se çfarë po ndodh.

Për ekonomistin Igor Lipits rritja e atyre që marrin kredi është një tregues i situatës ekonomike në vend.

“Qytetarët po marrin kredi, kredi dhe po i përdorin si paradhënie për hipotekën, me fjalë të tjera, kjo do të thotë se njerëzit janë në panik, ata nuk kanë të ardhura të mëdha dhe kanë frikë se jeta do të bëhet edhe më e shtrenjtë dhe se blerja e produkteve etike do të bëhet edhe më e vështirë. Kështu që ata po zhyten më tej në borxhe. Dhe kjo e frikëson Bankën e Rusisë.”

Ekonomisti rus thotë se në një familje ruse mund të ketë më shumë se një kredi për të shlyer.

“Përsëri, treguesi indirekt i situatës me të ardhurat është niveli i raportit të borxhit të lartë që diskutohet gjithmonë përsëri nëse merren statistikat e Bankës së Rusisë. Aty shihet e gjitha se sa rusë kanë dy ose tre kredi, si shumë familje që shpenzojnë jo vetëm 50%, por rreth 80% të të ardhurave të tyre mujore. Ka rajone të Rusisë ku njerëzit duhet të japin 105% të të ardhurave të tyre mujore. Kjo tregon të ardhurat reale të njerëzve dhe në çfarë shkalle varfërie jeton popullsia ruse. Rusia është në telashe të thella.”

Perëndimi vendosi ato që i quajti sanksionet më të ashpra ndonjëherë ndaj Rusisë në një përpjekje për të minuar ekonominë e saj dhe për të detyruar Putinin të ndryshojë kursin ndaj Ukrainës, por ai refuzoi dhe tashmë qytetarët po vuajnë këto pasoja.

Për shkak të luftës, qeveria ruse ka rritur shpenzimet ushtarake në një nivel rekord, ndërkohë që prodhimi i armëve është rritur ashtu si edhe pagat për ushtarët.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share