Kryeministri Dimitar Kovaçevski ju bëri thirrje autorëve të alarmeve për bomba mos të bëjnë veprime të tilla. Për çdo person që ëshë i përfshirë në këtë veprim paralajmëroi se do të ketë sanksione.
Fillimisht paralajmërime për bomba në shkolla, e tani edhe në qendra tregtare dhe lokacione tjera që janë të frekuentuara nga një numër i madh i qytetarëve. Dhjetëra paralajmërime, një person në moshë të mitur i arrestuar, mirëpo, paralajmërimet për bomba ende nuk po ndalen.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, dukej i pafuqishëm sot në konferencë për media. Luste qytetarët që mos të marrin pjesë në këto aktivitete, e tregoi edhe për masat që po i ndërmarrin, por që nuk po japin rezultat.
”Kishte pyetje në opinion se a po bashkëpunon MPB me shërbimet që i kemi partner. Përgjigja është po! Ka komunikim në bazë ditore me shërbimet partnere. Edhe me ata që janë pjesë e NATO-s por edhe shërbime tjera me të cilat kemi bashkëpunim stragjetik” – tha Kovaçevski.
E pse njerëzit që po e bëjnë këtë krim nuk po kapen, përgjigja është e thjeshtë për tu thënë… VPN adresa. E thjeshtë për tu thënë, por rëndë për tu zgjidhur.
”Shumica e këtyre paralajmërimeve bëhen nëpërmjet VPN lidhjeve që janë me hosting jashtë shtetit tonë dhe praktikisht është pothuajse e pamundur të detektohet se prej ku vjen paralajmërimi. Ky është rezultat i luftës hibride që po iu bëhet përveç shtetin tonë edhe shteteve tjera. Mbetet që ashtu si deri më tani, shërbimet tona së bashku me shërbimet partnere të ndeshen me këtë problem”
Edhe përkundër paralajmërimeve që u bënë përditshmëri për shkupjanet, Kryeministri thotë se nuk po cenohet siguria e shtetit. Konsideron se këto paralajmërime janë pjesë e luftës hibdride që u bë edhe më e dukshme pas agresionit rus në Ukrainë. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Furkan Saliu