Asnjë anketë e rrejshme nuk do ta mbulojë turpin e Qeverisë Mickoski dhe Pançe Toshkovskit për arratisjen e Grubit. Reagimi vjen nga LSDM-ja, duke pohuar se për këtë arratisje dhe për, sic thonë, lehtësinë e kalimit të kufirit me Kosovën dhe pas gjithë skandaleve, Toshkovski duhet të dorëhiqet.
“Qeverisë Mickoski me të vërtetë nuk i shkon mirë, atë që e premtonte para zgjedhjeve nuk e realizoi, për çdo ditë ka skandale, institucionet nuk funksionojnë, qytetarët varfërohen, çmimet rriten, shteti është i bllokuar dhe s`ka progres. Qytetarët këtë e shohin për çdo ditë dhe anketat e porositura nuk mund t`i ndihmojnë Mickoskit dhe kompanisë” – thonë nga LSDM.
Kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE-ja. Partia në pushtet thotë se LSDM-ja në vend se të marret me tema të sajuara le të bëjë analiza përse është duke humbur 5 me 1 nëpër anketa.
“Përgjigja është tek Venko Filipçe, Zoran Zaev, Dimitar Kovaçevski. Derisa LSDM merret me tema të sajuara ata nuk kuptojnë se janë shndërruar në gomë shpëtimi për Grubin, Ahmetin dhe BDI-në. Kjo politike e LSDM-së i çon në fund në të gjitha anketat që masin rejtingjet” – thonë nga VMRO.
Ndryshe një anketë e publikuar së fundmi që për portalin MKD.MK e ka realizuar “Market Vision”, tregon se nëse nesër mbahen zgjedhjet 21.5% do të votonin për VMRO-DPMNE-në kurse 3.9% për LSDM-në.
Sipas kësaj ankete, qytetarët më shumë besim kanë tek Mickoski me 27.2%, para Ali Ahmetit me 5.3% kurse Venko Filipçe renditet I treti me 3.6%.
Më shumë se 50% të të anketuarve janë prononcuar se nuk do të votojnë. /tvklan.mk/