Sindikata e M-NAV paralajmëron dorëheqje të reja dhe grevë

TASEVSKI: NUK KAM KËRCËNUAR DREJTORËT E AGJENCISË

Punësimet jo adekuate në Agjencinë e Fluturimeve Civile (M-NAV) vazhdojnë të paraqesin shqetësim për sindikatën e këtij institucioni. Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimeve, Aleksandar Tasevski pretendon se, punësimet që po bëhen në këtë agjenci, po bëhen për kuadro që nuk janë adekuate për ato funksione. Sipas tij, revolta e tyre është për mbrojtje të profesionalizmit dhe sigurisë së trafikut ajror, i cili nuk duron kompromis dhe në këtë mënyrë, ai paralajmëroi dorëheqje të një pjese të stafit, por nuk përjashtoi as mundësinë e gjithë të punësuarve në agjenci, me mbyllje të tërësishme të trafikut ajror.

“Prej sot do të ketë deponim të dorëheqjeve të kontrollorëve të fluturimeve, ndihmës kontrollorëve të fluturimeve, personave në pozita udhëheqëse, dorëheqje nga projektet. Në këto pozicione janë 20 nga 30 njerëz, për të cilët pritet të japin dorëheqje. Hapat e fundit të inxhinierëve dhe teknikëve shkaktuan frikë te drejtorët. Jo frikë për jetën e tyre, por frikë që ka të bëjë me pozitat e tyre të drejtorisë. Kjo tregon se jemi në rrugën e duhur” – tha Aleksandar Tasevski, Kryetar i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimeve.

Duke folur për kallëzimin penal të paraqitur nga ana e dy drejtorëve të agjencisë, me pretendimin se Tasevski i ka kërcënuar ato, ky i fundit përgënjeshtroi një gjë të tillë, duke theksuar se drejtorët i ka kapur frika se u rrezikohet pozicioni i tyre.

“U thirra në Sektorin për Krim të Dhunshëm në MPB ku mu prezantua një denoncim nga ana e dy prej tre drejtorëve, Fahrudin Hamidi dhe Hasim Deari, të cilët kanë dorëzuar kallëzim penal kundër meje për rrezikim të jetës dhe sigurisë së tyre, në bazë të një emaili që u kam dërguar. Me përgjegjësinë më të madhe pohoj se, përmbajtja e atij emaili nuk ka kërcënime. Nga ana tjetër, vlerësoj se interpretohet gabimisht në mënyrë tendencioze, që të shfrytëzohet kundër meje, si kryetar i sindikatës, që të heqim dorë nga qëllimet tona, si dhe kundër të tjerëve që janë ngritur të mbrojnë profesionin” – tha Aleksandar Tasevski, Kryetar i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimeve.

Pas kallëzimit penal të dorëzuar kundër tij, Tasevski u thirr mbrëmë në bisedë nga policia. Nga MPB njoftuan se personi në fjalë nuk është provuar nga liria, por me të është zhvilluar bisedë zyrtare, me qëllim të zbardhjes së rastit. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share