SILJANOVSKA SHKARKON DREJTORIN E ASK-së
Shkarkimi i drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Kundërzbulim nga ana e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, ka ngjallur reagimin e Eroll Musliut, mandati i të cilit duhet të përfundonte në vitin 2027. Musli thotë se arsyeja e shkarkimit të tij është përkatësia etnike. VMRO-DPMNE u kundërpërgjigj duke thënë se Musliu përdor përkatësinë etnike për të larguar vëmendjen nga dështimi i tij si drejtor.
Vendimi i presidentes, Gordana Siljanovska-Davkova, për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Erolld Musliu, sipas këtij të fundit është bërë për shkak të përkatësisë së tij etnike dhe presionit të VMRO-DPMNE-së ndaj presidentes.
“Sistemi merit dhe justifikimi ligjor për të cilin flet presidentja tërë kohën, në rastin konkret të shkarkimit tim mungojnë. Është e qartë se presidentja u dorëzua para presionit të partisë. Poashtu është fakt që gjatë gjithë kohës kam qenë cak i një fushate të ndyrë dezinformimi që ka arritur përmasat e një linçimi politik dhe ka lënë pasoja për familjen time”, tha Musliu.
Për VMRO-DPMNE-në, Erold Musli po bën manipulim të pastër duke u fshehur pas perdes së përkatësisë etnike, në përpjekje për të lënë në hije paaftësinë e tij dhe keqpërdorimet që ka bërë.
“Njeriu nga Agjencia për Zbulim ka bërë shtab partiak të LSD-së, duke organizuar hajka, sulme dhe duke u përplasur me VMRO-DPMNE-në. Njëherit Agjencia e udhëhequr nga Erolldi u përplas edhe me gazetarë, media dhe personalitete të cilat kritikuan krimin e LSD-së dhe BDI-së. Musliu me një portfolio të tillë mund të kandidojë vetëm si lider i LSD-së në vend që të derdh lot për shkarkimin e tij. Kurse për punën e tij mjaftueshëm flasin të dhënat se derisa Musliu ka qenë drejtor, bashkëshortja e tij me ndihmën e Qeverisë ka arritur grant prej 620.000″, thanë nga VMRO-DPMNE
Nga kabineti i presidentes Silanovska-Davkova nuk kanë dhënë detaje rreth shkarkimit të Musliut, duke thënë vetëm se Presidentja Silanovska-Davkova ndërmori këto vendime në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore. Më 28 qershor Presidentja ka shkarkuar edhe zëvendësdrejtoreshën e Agjencisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Aleksandra Bakreska-Dodovka, dhe në vend të saj ka emëruar Ivana Stojanovskan.
Erolld Musliu u emërua për mandat të dytë më 19 maj 2023 nga ish-presidenti, Stevo Pendarovski, dhe kishte mandat për të udhëhequr agjencinë deri në vitin 2027./tvklan.mk/