Aksidenti me pasoja fatale që morri jetën e 22 vjeçares në Shkup, veç protestave ka bërë që edhe partitë politike të reagojnë.
Në vigjilje të kësaj së fundmi, koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski ka njoftuar se grupi parlamentar i VMRO-së, VLEN-it dhe ZNAM-it, kanë dorëzuar kërkesë në Kuvend për zhvillimin e debatit publik për ndryshime të ligjit për siguri në trafik me qëllim rritjen e sigurisë. Micevski thotë se për këtë gjë pret mbështetjen e të gjithë grupeve parlamentare dhe deputetëve.
“Si grupe parlamentare të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it kemi paraqitur kërkesë për mbajtjen e dëgjimit publik me qëllim të analizimit dhe konstatimit të nevojës për ndryshimin e rregulloreve dhe ligjeve, me qëllim të rritjes së sigurisë së qytetarëve. Presim mbështetje nga të gjithë deputetët dhe tejkalimin e problemeve sistematike me të cilat jemi përballur vitet e fundit” – tha Miceski nga VMRO.
Dokumentin e njëjtë në rrjetet sociale e ka shpërndarë edhe deputeti i Lëvizjes ZNAM, Boban Karapeovski me mbishkrim identik sikurse Micevski.
Edhe Karapeovski shpreson që kërkesa e deputetëve të shumicës të mbështetet nga të gjithë deputetët në Kuvend.
“Shpresoj se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në zvogëlimin e pasojave të sjelljes së pamatur dhe në rregullimin më të mirë të kësaj fushe” – thonë nga Lëvizja ZNAM
Nga opozitarja BDI nuk theksojnë nëse do ta mbështesin ose jo këtë nismë thonë se ky ligj dhe plotësimet e tij, kanë qenë në harmoni të plotë me ligjet e Bashkimit Evropian, sepse gjithnjë qëllimi ka qenë të ritet siguria dhe të përmirësohet menaxhimi i tërësishëm i komunikacionit.
“Këto përmirësime të ligjit nuk kanë qenë vetëm një detyrë ligjore, por një mundësi për të bërë rrugët tona më të sigurta për të gjithë. Qëllimi kryesor ka qenë të krijohet një mjedis më i sigurt për të gjithë pjrsëmarrësit në komunikacion. Në këtë drejtim, kur bëhet fjalë për këtë ligj, çështja është kjo që kur kërkohet të zbatohet ligji në fjalë, duhet të zbatohet në përpikmëri, të vlejë njësoj për të gjithë qytetarët përmes një drejtësie joselektive” – tha Rina Ajdari, BDI.
Ndryshe, në kërkesën e dorëzuar nga tre grupet parlamentare për diskutim të hapur në Kuvend, janë nënshkruar Nikolla Micveski nga VMRO-DPMNE, Merita Kollçi Koxhaxhiku nga VLEN dhe deputeti I Lëvizjes ZNAM, Boban Karapejovski. /tvklan.mk/