Si të njihet “cyber-bullizmi” dhe dhuna nëpër shkolla?!

Dhjetëra denoncime për “dhunë” në adresën elektronike të MASH-it

Për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, duhen mekanizma tjera për mbrojtje, që do t`i përgatisin për komunikim me botën reale, e jo vetëm në atë virtuale – thotë profesorja Tamara Qupeva në intervistën e së dielës për Radio Evropa e Lirë, percjell KlanM.

Ajo vlerëson se veçanërisht i rrezikshëm është aplikacioni Tik-Tok, por ndalesat nuk paraqesin zgjidhje. Sipas saj, sic percjell KlanM, bullizmi është ndër problemet kryesore me të cilin duhet të merren psikologët shkollor.

“Dallimi midis kësaj dhune në rrjetet sociale dhe asaj që paraprakisht ishim mësuar, absolutisht është ndryshe. Kjo lloj dhune është e padukshme, për shkak se viktima shpeshherë vet përpiqet të përballet me situatën dhe shumë rrallë dëshmitarët e bullingut reagojnë në mënyrë sic duhet të reagojnë”, thotë profesorja, Tamara Qupeva.

Nga ana tjetër, Arsimtari Satki Ismaili, në Klan Debatin e fundit shtroi tezën e ndalimit të telefonave të mençur në ambientet e shkollës, duke sugjeruar kontroll më të rreptë. Për efektet pozitive dha edhe një shembull.

“Në shkollën ku unë jam mësimdhënës dhe kam qenë edhe drejtor, në kohën kur bëmë në formë institucionale përmes organeve shkollore ndalimin e përdorimit të telefonave të mençur në shkollë, efektet ishin superiore. Edhe sot e kësaj dite shumë pak përdoren telefonat. Rezultate fenomenale”, thotë arsimtari Satki Ismaili.

Koordinatori Nacional për Informatikë në Qeverinë e Maqedonisë, Blerand Ramadani në KlanDebat shpjegoi mënyrën se si funksionojnë algoritmet e inteligjencës artificiale në rrjetet sociale. Sipas tij, është shumë problem kufizimi apo pastrimi i hapësirës onlajn, por sugjeroi që këtë ta bëjnë në mënyrë manuale vet përdoruesit e rrjeteve sociale.

“Realisht nëse të paraqitet një përmbajtje që është jashtë normave tua të shikueshmërisë ke opsion ta raportosh si të padëshirueshëm, të dhunshme dhe kjo duhet të bëhet nga secili përdorues i rrjeteve sociale që synon të japë kontribut. Për momentin ky është kontributi më efektiv që mund të ndodhë nga çdo individ”, tha Blerant Ramadani, Koordinator nacional për informatikë në Qeverinë e RMV-së.

Pas ngjarjeve tragjike në Serbi, për vetëm disa ditë, në adresën elektronike të Ministrisë së Arsimit kanë mbërritur dhjetëra denoncime për dhunë nëpër shkolla.

Autoritetet, siç percjell KlanM, thonë se nga shtatori do të nis të funksionojë një protokoll i ri i detajuar se si të njihet dhe si të veprohet në rastet e dhunës shkollore si dhe protokolli për siguri nëpër shkolla./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share