‘El Gordo’ i dërgoi foto agjentes së infiltruar, prej dy vitesh kërkohej nga Interpol
I shumëkërkuari i interpolit, shqiptari Besnik Nikolli, u arrestua në Kolumbi falë një agjente të infiltruar të policisë. El Gordo organizonte shpesh në apartamentin e tij festa me vajza të ndryshme. Pikërisht policia përdori një agjente të infiltruar, e cila hyri në profilin e tij në një rrjet social. Pas pranimit të ftesës, ata kanë biseduar shpesh me njëri – tjetrin. El Gordo i ka treguar se jetonte në Santa Marta dhe pasdite gjithmonë shëtiste për pak minuta në bregdet. Gjithashtu ai i dërgonte foto nga jeta e përditshme ç’ka ndihmoi policinë për lokalizimin.
Ky ishte pikërisht gabimi që i kushtoi trafikantit shqiptar të drogës, i cili u arrestua falë bashkëpunimit të policisë vendase me zyrën Franceze Kundër trafikut të Drogës.
Nikolli ruante një profil të ulët dhe jetonte në një apartament të thjeshtë në lagjen San Pablo. Media vendase “El Tiempo” shkruan se, autoritetet franceze kanë këmbëngulur duke dhënë informacione për vendodhjen e tij në Kolumbi, edhe pse ai nuk figuronte se kishte hyrë në këtë shtet.
Që prej vitit 2021 Besnik Nikolli ishte shpallur në kërkim nga autoritetet franceze të drejtësisë.
Ai ishte drejtues i një organizate të trafikut të drograve të forta, me bazë në Lion të Francës dhe besohet se ka kryer trafikun e drogës për rreth 10 vite.
Mediat kolumbiane theksojnë se ai la Europën për të zhvilluar aktivitetin e tij në Kolumbi ku kishte nisur bashkëpunimin me kartelët e drogës.
Klan News