Si po ‘pushton’ botën filmi ‘Barbie’?

Filmi i shumëpritur i verës ’Barbie’ është shfaqur këto javët e fundit premierë në disa prej qyteteve kryesore të botës. Me regji të Greta Gerwig dhe me aktorë Margot Robbie dhe Ryan Gosling fushata e marketingut jo vetëm që nuk është ndalur, por ka arritur kulmin.

Për kritikët e artit fushata e marketingut të filmit ka qenë kudo sepse kompania Mattel, e cila prodhon kukullën e famshme Barbie po shet më shumë sesa thjesht një film. Firma të ndryshme si Nike po bashkëpunojnë me kompaninë Mattel. Kur dizajnoi këtë model atletesh Air Max Scorpion Nike pati në mendje kukullën e famshme.

Ynon Kreiz, shef i kompanisë Mattel: Barbie është një ikonë e kulturës pop. Është më shumë se një kukull. Është e përjetshme dhe e pakohë sepse ka të bëjë me një histori që kapërcen brezat dhe intrigon audiencën në të gjithë botën.

Fushata e marketingut ka dominuar edhe industrinë e modës. Për të promovuar filmin, vetë Margot Robbie është kujdesur të sjellë për publikun disa prej veshjeve ikonike të kukullës së famshme.

“Andrew, stilisti im, ka bërë një punë kaq të jashtëzakonshme duke hapur arkivat dhe gjetur veshjet e Barbie nga dekadat e mëparshme. Ai i ka risjellë këto veshje siç edhe ka ndodhur me veshjen time sot, kështu që unë jam argëtuar pafund”, tha ajo.

Për të tërhequr më shumë vëmendje, kasti i aktorëve të Barbie mbajtën një ceremoni që ndriçoi monumentet më ikonike të Londrës, duke përfshirë sheshin Trafalgar dhe Syrin e Londrës të cilat për disa momente u ngjyrosën në rozë.

Jo vetëm kaq, por simboli më i famshëm i Londrës kabinat e kuqe telefonike të cilat u prezantuan për herë të parë gjatë shekullit të kaluar u shndërruan po ashtu në ngjyrën që identifikon kukullën e dashur të miliona fëmijëve në mbarë botën.

Richard Dickson, President i kompanisë Mattel: Epo, nuk ka asnjë cep të globit që të mos jetë bërë rozë sepse kjo është Barbie dhe ne krenohemi shumë me faktin që ngjyra jonë është padyshim sinonim i një lëvizjeje të madhe tani dhe nuk ka ngelur detaj që nuk e kemi kuruar me kujdes.

Billbordet rozë të cilat përmbajnë vetëm datën e publikimit të filmit janë shfaqur në qytete në mbarë botën dhe madje në Malibu u shfaq një shtëpi rozë, të cilën fansat mund ta marrin me qira përmes agjencisë së pushimeve AirBnB.

Rezidenca buzë oqeanit, e zbukuruar në ngjyrë rozë, përmban një pishinë, zona të shumta relaksi dhe një pistë vallëzimi. Sikur të mos mjaftonte kjo, kolona zanore e filmit përfshin këngë nga këngëtarë të njohur si Dua Lipa, dhe Nicki Minaj dhe Ice Spice.

Artistja me origjinë shqiptare do të shfaqet si një Barbie sirenë me flokë blu. Përveç kolonës zanore, ajo është edhe pjesë e kastit pasi publiku do të ketë mundësinë ta shoh edhe si aktore.

Por si e ka pritur këngëtarja rolin në këtë film?

“Kur isha e vogël dhe luaja me kukullën Barbie më pëlqente t’i shkurtoja flokët dhe ta stiloja. Mendoj se ishte një mënyrë për të shprehur kreativitetin tim. Pra kjo është arsyeja pse jam kaq e lumtur që jam pjesë e filmit dhe mendoj se njerëzit do të befasohen shumë prej tij”, tha ajo.

Por përveç pjesëmarrjes së Dua Lipës në film, vetë kasti i aktorëve është po aq surprizues. Filmi përmban disa nga aktorët më të famshëm në botë si Ryan Gosling, Helen Mirren, Issa Rae dhe Doctor Who, Ncuti Gatwa.

Simu Liu: Të arrish të luash në filmin Barbie, është thjesht, është surreale. Nuk mendoj se do të kisha besuar nëse do të më kishe thënë dhjetë vjet më parë se do të isha një kukull Ken.

Gosling, i cili njihet më tepër për rolet e tij dramatike nuk e pati të vështirë portretizimin e kukullës Ken.

“Fëmijët e mi më kanë ndihmuar shumë. Ata ishin në shtëpi kur unë po mësoja skenarin. Ata i dinin të gjitha fjalët dhe i dinin të gjitha lëvizjet dhe më kanë shoqëruar edhe gjatë xhirimeve për të më mbështetur”, tha ai.

Kimia mes Rosling dhe Margot pritet të ndihet në film. Dyshja kanë miqësi sëbashku dhe shpesh nuk kanë kursyer vlerësimet për njëri-tjetrin që i kanë ndarë shpeshherë edhe me publikun.

“Regjisorja është brilante, siç e dini, dhe Margot po ashtu. Mënyra se si ato e bënë më të këndshëm procesin e të prodhuarit të filmit, jo vetëm në xhirime por edhe jashtë saj, thjesht janë personat më të talentuar, të gjithë janë kaq të mrekullueshëm, më të mirët në atë që bëjnë dhe fakti që krijuan këtë mjedis pune që të gjithë kanë patur mundësinë të tregojnë më të mirën e tyre”, tha aktori.

Robbie ka shprehur admirimin e saj për aktorin duke e cilësuar Rosling si aktorin më të talentuar me të cilin kishte punuar ndonjëherë në aspektin e komedisë. Robbie rrëfeu se ajo shpërtheu shpesh në të qeshura gjatë xhirimit të disa skenave. Jo vetëm aktorët, por edhe skenari pritet të mbërthejë publikun pas ekranit.

Skenari është xhiruar nga regjisorja Greta Gerwig, e cila qëndron pas filmave të nominuar për Oscar si Lady Bird dhe Little Women së bashku me partnerin e saj Noah Baumbach.

“Unë dhe Noah e shkruam së bashku filmin dhe nuk e dija që do ta drejtoja. Vetëm kur patëm skenarin dhe më pëlqeu, mendova tani nuk mund të duroj të lejoj dikë që ta realizojë këtë film përveç meje. Ky film do të thotë jashtëzakonisht personal për mua sepse ka shumë gjëra për të cilat kam investuar nga vetja si nga pikëpamja e filmit, estetikisht, por edhe idetë në të, emocionet që përçon, por edhe personazheve”, tha ajo.

Historia e filmit nis me Barbie që jeton jetën e saj së bashku me të dashurin e saj Ken që luhet nga aktori Ryan Gosling. Barbie dëbohet nga bota perfekte ku ajo jeton për shkak se nuk është mjaft e përsosur dhe nis një aventurë në botën reale.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share