Si i lejoi Google lajmet e rreme për gjenocidin në Srebrenicë?

magjinojeni të hyni në një librari për të blerë një libër për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës dhe titulli i parë që shihni është: “Srebrenica është gënjeshtër”. Dhe, ai nuk është i vetmi. Gjashtë ose shtatë titujt tjerë në raft janë të ngjashëm. Çfarë do të mendonit?

Kaloni nga një dyqan i ndërtuar me tulla e lloç tek interneti… dhe është pothuajse e njëjta gjë. Kjo është shqetësuese, pasi njerëzit sot, kur kërkojnë informacione, rrallë marrin një libër, por hapin Google, ose YouTube, ose burime të tjera në mediat sociale.

Në Bosnje, të rinjtë e moshës 18 deri në 30 vjeç mbështeten në informacionet e mbledhura në rrjetet e mediave online dhe sociale, tregon një sondazh i vitit të kaluar, i realizuar nga Mediacentar Sarajevo. Kjo e fundit është një organizatë joqeveritare, që mbështet dhe ndihmon zhvillimin e mediave të pavarura në Bosnje.

Merreni shembull Google. Shkruani “Srebrenica është…” në motorin më të njohur të kërkimeve në botë dhe rezultatet, në disa gjuhë, do të jenë tronditëse. Ato do të përfshijnë përgjigje si: “Srebrenica është gënjeshtër”.

Në qendër të Beogradit, një mural i ish-komandantit të ushtrisë serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq, është vizatuar në fasadën e një ndërtese, çfarë nxjerr në pah faktin se për shumë serbë ai mbetet hero.
Në qendër të Beogradit, një mural i ish-komandantit të ushtrisë serbe në Bosnje, Ratko Mlladiç, është vizatuar në fasadën e një ndërtese, çfarë nxjerr në pah faktin se për shumë serbë ai mbetet hero.

Kur Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka kontaktuar Google, duke ia vënë në dukje këtë, kompania ka ndërmarrë veprime për ta hequr përmbajtjen që e mohon gjenocidin në Srebrenicë.

Megjithatë, kjo duket se zbatohet vetëm për rezultatet e kërkimit në gjuhën angleze në Google. Kërkimet për gjenocidin e Srebrenicës në gjuhë të tjera vazhdojnë të nxjerrin dezinformata.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë të Bosnjës janë mbledhur dhe janë vrarë nga forcat serbe pranë qytetit lindor të Srebrenicës. Ka qenë kjo vrasja më e rëndë masive në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Masakra në Srebrenicë është cilësuar si gjenocid edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Ratko Mlladiç, dhe ish-udhëheqësi politik i serbëve në Bosnje, Radovan Karaxhiç, janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, për shkak të roleve të tyre në gjenocidin e Srebrenicës.

Zyrtarët serbë mohojnë se forcat serbe kanë kryer gjenocid. Për Qeverinë në Serbi, ky është një “krim i tmerrshëm”, ka thënë presidenti Aleksandar Vuçiç në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, qershorin e vitit të kaluar.

Në qendër të Beogradit, një mural i Mlladiçit është vizatuar në fasadën e një ndërtese, çfarë nxjerr në pah faktin se për shumë serbë ai mbetet hero.

Për ata që jetojnë sot në Srebrenicë, qytetin që ndodhet në Republikën Sërpska – rajon i banuar më shumicë serbe i Bosnjës – dominimi i mohimit të gjenocidit në internet nuk është befasues.

“Kur e pashë të shkruar ‘Srebrenica është gënjeshtër’, nuk u çudita, sepse, për fat të keq, edhe sot shumë njerëz e mohojnë gjenocidin, duke thënë se e gjitha ishte gënjeshtër, se nuk ka ndodhur”, thotë Azemina Suliç, një nxënëse e shkollës së mesme në Srebrenicë, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Në vitin 2021, Valentin Inzko, kreu i atëhershëm i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit. Ligji është kritikuar ashpër nga udhëheqësit serbë të Bosnjës.

Google – në pronësi të kompanisë mëmë Alphabet – ka thënë se përpunon 63,000 pyetje çdo sekondë, ose 5.6 miliardë “google-ime” çdo ditë, përfshirë ato të nxënëses Suliq.

Edhe pse mendon se shumica e informacioneve të mbledhura nga ky motor i kërkimeve, nuk janë 100 për qind të sakta, Suliq thotë se Google është një burim i shpeshtë informacioni për të. “Kryesisht për shkollën, kur jam duke bërë ndonjë punim për një temë të caktuar”, thotë ajo.

Tijana Stefanoviq, nga qyteti Gornji Millanovac në Serbinë qendrore, gjithashtu mbështetet te Google për gjetjen e informacioneve. “Unë e kontrolloj internetin fillimisht”, thotë Stefanoviç për Radion Evropa e Lirë dhe shton se ajo përdor edhe burime të tjera online.

Pasi të shkruash “Srebrenica është…” jo vetëm në Google, por edhe në YouTube, dalin rezultate të ngjashme; “Srebrenica është gënjeshtër” është ndër rezultatet e para që shfaqen. “Nuk u befasova, por as nuk e prisja që të ishte rezultati i parë i kërkimit. Është ndoshta tema më e kërkuar në vendin tonë, kështu që është në krye”, thotë Stefanoviq.

Si funksionon motori i kërkimit i Google?

Kur një kërkesë shtypet në Google, motori i kërkimit llogarit shumë faktorë, përfshirë “gjuhën e pyetjes”, “vendndodhjen nga vjen pyetja” dhe “kërkimet tuaja të kaluara”.

Të gjithë këta faktorë ndikojnë në atë që shfaqet në fund në ekranin e kompjuterit, thotë Fillip Millosheviç nga Fondacioni Share, një OJQ që mbron dhe promovon të drejtat dhe liritë në internet.

“Për të vendosur se çfarë të shfaqin, sistemet i analizojnë pyetjet e shpeshta dhe të njohura, por gjithashtu marrin parasysh faktorë të tjerë, si: gjuha dhe vendndodhja e përdoruesit që bën kërkimin”, thotë Millosheviç për Radion Evropa e Lirë.

“Sisteme të tilla që punojnë në bazë të algoritmeve, nuk mund të jenë të përsosura dhe neutrale, për shkak të vetë natyrës së të dhënave që përpunojnë, të cilat krijohen nga njerëzit, të cilët nuk janë neutralë”, shton ai.

Për rrjedhojë, thotë Millosheviç, shpesh ndodh që motorët e kërkimit “të kthejnë rezultate që janë të njëanshme, diskriminuese, fyese, ose madje fakte që nuk janë të verifikuara ose të njohura”.

Google ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “kur komuniteti na tërheq vërejtjen për rezultate që, për çfarëdo arsyesh, duken të papërshtatshme për të, ne i vlerësojmë dhe marrim masa”.

“Çdo përdorues mund të raportojë një rezultat të papërshtatshëm direkt në kutinë e plotësimit automatik”, ka thënë Google.

“Në rastin e frazës ‘Srebrenica është gënjeshtër’, ne kemi ndërmarrë veprime dhe e kemi hequr këtë rezultat automatik”, ka thënë kompania.

Sipas Millosheviçit, “Google trajnon sisteme të inteligjencës artificiale, por gjithashtu punëson ekipe njerëzish që i vënë re shkeljet e politikave të kompanisë”.

Interneti dhe realiteti

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës thotë se rezultatet e kërkimit në Google nuk janë befasuese, sepse shumica e njerëzve “në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska besojnë se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë”.

“Ajo që mund të them është se njerëzit që duan të kërkojnë për Srebrenicën dhe vijnë nga një rajon që e mohon gjenocidin, preferojnë të gjejnë të pavërteta, për ta bërë më të lehtë për veten e tyre dhe pastaj i ndalojnë kërkimet e tyre aty”, thotë zëdhënësja e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Allmasha Salihoviç, për Radion Evropa e Lirë.

“Fakt është se njerëzit në këto zona shpesh preferojnë të besojnë në mite dhe deklarata të paverifikuara, më shumë se në fakte dhe vlerësime”, shton ajo.

Një raport nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës ka mbledhur 234 raste të mohimit të gjenocidit, që janë shfaqur në mediat në Bosnje midis majit 2020 dhe majit 2021.

“Më shumë se dy dekada pas gjenocidit, ndoshta më shumë se kurrë, ne po përballemi me faktin se të gjitha gjeneratat dhe kategoritë e njerëzve në Republikën Sërpska dhe në Serbi, po përpiqen të thonë sa më fort që të jetë e mundur se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocid. Këta njerëz nuk kanë qenë kurrë të interesuar për të vërtetën. E vërteta është shumë më e vështirë për t’u pranuar sesa gënjeshtra”, thotë Salihoviç.

Në fillim të këtij viti, në Priboj, një qytet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës, ku jetojnë serbë dhe boshnjakë, është kënduar një këngë, në prani të policëve serbë, që bënte thirrje për përsëritjen e Srebrenicës dhe përdhunimin dhe vrasjen e boshnjakëve.

Së voni, në rrjetet sociale është postuar një video, ku shfaqen fëmijë të vegjël duke kënduar një këngë të këngëtarit popullor, Mirko Pajçin, i njohur më mirë me pseudonimin Baja Malli Kninxha. Kënga “Nuk të dua, Alija” madhëron krimet kundër popullatës boshnjake, gjatë luftës./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share