Si duket një nga burgjet më famëkeq në botë – këtu gjenden më të rrezikshmit…

Në një reportazh nga El Salvadori, rrjeti televiziv amerikan CNN, ka shfaqur pamjet e brendshme të njërit prej burgjeve më famëkeqe në botë, të hapur një vit më parë nga presidenti i këtij vendi, Nayib Bukele.

Reporteri i televizionit, David Culver, pati mundësinë të vizitojë këtë institucion dhe theksoi se aty janë strehuar kriminelët më të rrezikshëm të El Salvadorit.

“Kritikët thonë se kontrolli i ashpër dhe izolimi i të burgosurve përbën shkelje të të drejtave të njeriut, por shumë banorë lokalë e shohin këtë si një masë kyçe për të parandaluar rikthimin e dhunës brutale në shoqëri”, tha Culver.

Sa i përket përshkrimit të të burgosurve, Culver dha një mesazh të qartë “këtu ndodhen ata që përshkruhen si më të këqijtë nga më të këqijtë. Burgu është i papërshtatshëm dhe i ngushtë, por këtu komoditet nuk ka”.

CNN-i gjithashtu intervistoi disa të burgosur, të cilët përshkruan kushtet brenda burgut.

“Ky nuk është një hotel me pesë yje, por marrim ushqim tri herë në ditë, kemi aktivitete ditore, ushtrime dhe mundësi për të shkuar në kishë”, tha njëri prej tyre.

Megjithatë, për të gjitha këto aktivitete, të burgosurit kanë gjithsej gjysmë ore në ditë. Pjesën tjetër të kohës, ata janë të mbyllur në qeli.

Ky burg u hap nga presidenti, Nayib Bukele në fillim të vitit 2023 dhe deri në fund të shkurtit të po atij viti, kishte pranuar 2000 të burgosur.

Që nga qershori i vitit 2024, numri i të burgosurve ka arritur në 14532, duke e bërë atë një nga qendrat kryesore ku dërgohen anëtarët e bandave.

Në total, burgu ka një kapacitet prej 40 mijë personash, duke u bërë burgu më i madh në Amerikën Latine.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share