Shtohet kolonia kuqezi në Premier League

E ardhmja e Thomas Strakoshës do të jetë në Premier League angleze. Portieri shqiptar ka kaluar testet mjekësore te Brentford, skuadër me të cilën do të jetë pjesë e tyre duke nisur nga sezoni i ri. Strakosha ka firmosur një kontratë deri në vitin 2028 me “bletët”, me opsion për të rinovuar edhe me një tjetër sezon. Për momentin ende nuk janë bërë të ditura detajet se sa do të përfitojë portieri shqiptar nga kjo marrëveshje. 27-vjeçari ka qenë pjesë e Lazios që nga edicionin 2012-2013, ndërsa ka pasur vetëm një eksperiencë disa mujore në radhët e Salernitanes.

Vetë Strakosha e kishte deklaruar më parë që për të është një ëndërr që të luajë një ditë në Premier League e tani mund të thuhet se ëndrra po i bëhet realitet.

Edhe pse në ditët fundit u përfol dhe për një kalim të mundshëm te Manchester United, tani gjithçka është mbyllur dhe Strakoshën do e shohim sezonin e ardhshëm në kampionatin më të fortë në botë, duke mbrojtur portën e Brentford. Anglezët sigurojnë kështu firmën me futbollistin e kombëtares shqiptare, duke qenë i radhës që hedh të zezën mbi të bardhë në Premier League angleze. Aktualisht, në elitën e futbollit anglez bën pjesë edhe sulmuesi i kombëtares, Armando Broja.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share