Shtetet e BE-së pajtohen për sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

Shtetet e Bashkimit Evropian u pajtuan për sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, veprim ky që synon të lidhë sanksionet më shumë me masat që shënjestrojnë Rusinë. Qëllimi është të parandalohet shmangia e sanksioneve. Ambasadorët e BE-së u pajtuan në parim për këtë paketë të re të sanksioneve.

Qeveria e liderit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, një aleat i ngushtë i Kremlinit, është sanksionuar nga BE-ja për lejimin e përdorimit të territorit të saj për nisjen e pushtimit rus të Ukrainës.

Një aspekt kyç është afrimi i sanksioneve ndaj Bjellorusisë me ato të vendosura ndaj Rusisë. Kjo synon të ndalojë që mallrat e ndaluara të shkojnë në Rusi, përfshirë mikroçipat që mund të përdoren në fushëbetejë në Ukrainë.

Zyrtarët në Bruksel kanë ndaluar dërgimin e mallrave nga BE-ja në Rusi. Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se Bjellorusia nuk duhet të shërbejë më si rrugë për shmangien e sanksioneve kundër Rusisë. Kjo paketë synon të rrisë presionin ndaj të dy shteteve dhe të bëjë sanksionet kundër Rusisë më efektive.

Edhe para pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja kishte vendosur sanksione ndaj Qeverisë së Lukashenkas për shkak të shtypjes së protestave. Deri më tani, blloku ka vendosur gjithsej 14 paketa sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share