Në gjysmën e parë të vitit 2022 autoritetet gjermane kanë dëbuar rreth 6.200 të huaj nga Gjermania. Këtë e bëri të ditur qeveria gjermane në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjes së grupit parlamentar të partisë opozitare, ‘Die Linke’. Sipas ‘Deutsche welle’, destinacionet kryesore ishin Maqedonia e Veriut me mbi 450 të dëbuar dhe Shqipëria mbi 400, pasuar nga Gjeorgjia me rreth 400 persona të dëbuar. Ndërsa në Kosovë, Gjermania ka kthyer me detyrim 130 ish-azilkërkues.
Dëbimet vijojnë të jenë më të shpeshta në kohën e verës.
Grupi parlamentar E Majta e ka kritikuar ashpër praktikën e dëbimit.
“Mbetesh pa fjalë kur shikon se çfarë mjetesh janë të gatshme të përdorin qeveria federale dhe shteti, vetëm për t’i dëbuar njerëzit nga vendi“, thotë për ‘Deutsche Welle’ zëdhënësja e politikës së refugjatëve të Partisë së Majtë, Clara Bünger. Opozita e majtë kritikon shumën marramendëse që përdoret në disa raste.
Vetëm për avionët që dërgojnë këta persona në destinacione të ndryshme shteti gjerman ka paguar gjatë gjysmës së parë të vitit 580 mijë euro.