Fundi i vitit po afron e bashkë me të po afrohen edhe festat.
Sikur çdo herë tjetër, edhe këtë mot ka nisur dekorimi i rrugëve, shesheve, shtëpive dhe pemëve nëpër shumë vende të botës.
Kështu ka vepruar edhe njëra prej shtëpive më të pushtetshme të globit, shkruan Klan Kosova.
Shtëpia ku aktualisht banon presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden së bashku me gruan e tij Jill Biden, tashmë veçse është gati për festat e fundvitit.
Këtë e ka bërë të ditur vetë zonja e parë duke ndarë disa fotografi në llogarinë e saj në Facebook.
“Për festat e këtij viti në Shtëpinë e Bardhë, ne shpresojmë të kapim frymën e mishëruar në vetë idenë e Amerikës: Ne njerëzit”.
“Ndërsa vendi ynë mblidhet për festa, traditat mund të ndryshojnë, por vlerat tona të përbashkëta amerikane – besimi në mundësi, optimizëm dhe unitet – qëndrojnë çdo stinë. Dhomë për dhomë, vizitorëve do t’u kujtohet ajo që na bashkon gjatë festave dhe gjatë gjithë vitit”, ka shkruar Jill Biden.
Si duket këto fotografi i kanë lumturuar edhe ndjekësit e saj në rrjetin social. Ky postim i zonjës së parë ka marrë mbi 40 mijë pëlqime dhe shumëkush e ka falënderuar atë dhe burrin e saj duke thënë se ia kanë kthyer dinjitetin Shtëpisë së Bardhë.